Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se planet për garancitë e sigurisë për Ukrainën do të finalizohen javën e ardhshme, raporton “BBC”.

Në një postim në “Telegram”, pas një telefonate me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, Zelensky tha se i gjithë konfigurimi për garancitë e sigurisë do të jetë në letër javën tjetër.

“Këshilltarët e sigurisë kombëtare po punojnë aktualisht për secilin komponent specifik dhe javën tjetër i gjithë konfigurimi do të jetë në letër”, ka shkruar Zelensky.

Ai ka thënë se në sulmin rus në Kiev gjatë natës së kaluar janë goditur po ashtu një ndërmarrje turke dhe Ambasada e Azerbajxhanit në Kiev.

Zelensky në “Telegram” ka njoftuar edhe për bisedën me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

E ka falënderuar atë për solidaritetin e saj me popullin ukrainas.

Ai ka thënë se sulmi në Kiev ishte një nga më të mëdhatë në Ukrainë. Në sulm u vranë të paktën 18 persona.

“Rusët zgjodhën Kievin si objektivin e tyre kryesor. Operacioni i kërkim-shpëtimit po vazhdon”, tha ai.

Tha se u diskutua për sanksione të reja të BE-së ndaj Moskës dhe një rrugë për integrimin e Ukrainës në BE.

E Britania e Madhe ka thirrur ambasadorin rus pas sulmeve gjatë natës në Kiev. Në sulme u dëmtuan edhe ndërtesat e Këshillit të Britanisë dhe Delegacionit të BE-së në Kiev.

18 persona janë vrarë e 48 janë plagosur në sulmet ruse në kryeqendrën ukrainase.

Emisari i SHBA-së, Keith Kellogg, ka kritikuar sulmet duke i quajtur “skandaloze” dhe ka thënë se ato kërcënojnë paqen që po synon të arrijë presidenti amerikan Donald Trump.