Zëvendëskryeministri Arben Fetai ka reaguar ashpër ndaj një vale sulmesh në rrjetet sociale, për të cilat ai akuzon makinerinë propagandistike të BDI-së dhe aleatëve të saj.

Në një deklaratë publike, Fetai ka theksuar se nuk do të ndalet përballë shpifjeve dhe gënjeshtrave, duke i quajtur ato një dëshmi e frikës së kundërshtarëve politikë.

“Makineria propagandistike e BDI-së dhe e patericave të saj ka nisur një fushatë të egër kundër personalitetit tim,” shprehet Fetai, duke shtuar se sulmet po bëhen përmes profileve të rreme që synojnë ta njollosin me “lloj-lloj shpifjesh dhe gënjeshtrash”.

Sipas tij, këto sulme të ulëta nuk bëjnë gjë tjetër veçse e forcojnë edhe më shumë vendosmërinë për të vazhduar misionin politik:

“Këto sulme janë një shenjë e fuqisë sonë. Ata sulmojnë sepse lëvizja jonë i ka prishur planet e BDI-së dhe të pengjeve të Gjoka Konstruksion.”

“Duart e mia janë të pastra, ndërgjegjja ime e qetë”

Në deklaratën e tij, Fetai ndalet te tre parime që, sipas tij, përfaqësojnë krenarinë e tij në politikë:

Integriteti financiar – “Për 20 vjet karrierë, unë nuk kam keqpërdorur as edhe një qindarkë të burimeve publike. Duart e mia janë të pastra, ndërgjegjja ime e qetë.”

Distanca nga BDI-ja – “Jam i vetmi që kurrë nuk ka pasur kontakt, bashkëpunim apo kompromis me BDI-në dhe me kryetarin e tyre. Kam mbajtur dhe do mbaj një distancë higjienike me ta.”

Pavarësia vendimmarrëse – “Askush nuk mund të ndikojë vendimet e mia, të më kushtëzojë apo të më shantazhojë. Varësia ime e vetme është ndaj popullit tonë dhe kombit tonë.”

Fetai e mbyll reagimin e tij me një mesazh sfidues ndaj kundërshtarëve:

“Sulmet e tyre vijnë nga profilet e rreme, sepse askush nuk mund të më përballë me emër dhe mbiemër me akuza reale. Le të lehin zagarët. Karavani ynë ecën përpara, i pandalshëm, drejt një të ardhmeje ku shqiptarët fuqizohen, jo eksploatohen.”