Prokuroria Publike Themelore ka njoftuar se ka nisur hetimi kundër 15 personave, pasi të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprat penale: Bashkim kriminal dhe shkatërrim të pyjeve, gjashtë prej tyre edhe për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve, ndërsa i dyshuari i parë akuzohet gjithashtu për veprën penale dhënie ryshfeti, kurse një tjetër për veprën penale pranim ryshfeti.

“Gjatë vitit 2025, dy të punësuar në subjektin juridik të dyshuar dhe një oficer policie kanë formuar një grup me qëllim përfitimi pasurie të kundërligjshme përmes keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe autorizimeve, dhënies dhe pranimit të ryshfetit, si dhe shkatërrimit të pyjeve. Të shoqëruar nga persona të tjerë të dyshuar, të cilët janë të punësuar në institucione të ndryshme (Ministria e Punëve të Brendshme, NP Pyjet Kombëtare – dega Maleshevë, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave, si dhe persona të papunësuar), ata kanë realizuar aktivitete ilegale që kanë çuar në shkatërrimin e një pylli me sipërfaqe prej 6.000 hektarësh, pronë e NP Pyjet Kombëtare – PSSH Malëshevë”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Prokurorisë.

Nga PPTh-ja bëjnë të ditur se si rezultat i veprimeve të tyre, është prerë një masë drusore prej 1.500.000 metra kub, me një vlerë prej 6.405.000.000 denarësh. Organizatorët e grupit kanë kryer prerje ilegale të drurit, i cili më pas është transportuar dhe shitur si i prerë ligjërisht, me qëllim përfitimi të paligjshëm pasuror.

Grupi është mbështetur shtesë nga punonjës policorë, të cilët nuk kanë ndërmarrë masa dhe i kanë informuar organizatorët për patrullat policore, gjë që u ka mundësuar atyre të vazhdojnë aktivitetin kriminal. Drejtori i dyshuar i NP Pyjet Kombëtare – dega Maleshevë ka miratuar prerjen ilegale, ndërsa shefi i SPB Dellçevë ka fshehur autorët dhe mjetet e përdorura për kryerjen e veprës penale.

“I pari i dyshuar, në emër dhe për llogari të subjektit juridik të dyshuar, gjatë muajve gusht dhe shtator 2025 i ka dhënë një dhuratë në para drejtorit të NP Pyjet Kombëtare, në shumën e përgjithshme prej 6.100 euro, me qëllim që të lejojë prerjen ilegale të drurit, madje edhe para se të shpallej thirrja publike për masën drusore të djegur”, qëndron më tej në njoftim.

Gjatë ditës së djeshme, për të mos u zbuluar vepra penale dhe autorët, shefi i dyshuar ka njoftuar një anëtar të grupit se policia do të vepronte për zbulimin e veprës penale. Pas kësaj, anëtari i dyshuar ka informuar organizatorin, i cili, për të fshehur gjurmët e veprës dhe sendet, ka njoftuar personat që kryenin prerje ilegale në zonën e fshatit Dvorishte që të “pastrojnë” terrenin. Më pas, ai vetë është drejtuar në vendin e ngjarjes ku është kapur në flagrancë.

Prokurori publik, duke vlerësuar se janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së paraburgimit, ka paraqitur kërkesë te gjyqtari i procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale Shkup për caktimin e paraburgimit për të gjithë të dyshuarit.

Mgid