Të paktën 64.803 palestinezë janë vrarë në luftën gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023, ndërsa shtatë persona të tjerë vdiqën nga uria në enklavë brenda 24 orëve të fundit, transmeton Anadolu.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se 47 trupa u sollën në spitale në 24 orët e fundit, ndërsa 205 të tjerë u plagosën, duke e çuar numrin e të plagosurve në të paktën 164.264 si pasojë e sulmeve izraelite.

Shumë viktima janë ende të bllokuara nën rrënoja dhe në rrugë, pasi ekipet e shpëtimit nuk mund t’i arrijnë ato.

Ministria palestineze tha se pesë palestinezë u vranë dhe mbi 26 të tjerë u plagosën nga zjarri i ushtrisë izraelite teksa përpiqeshin të marrin ndihmë humanitare në 24 orët e fundit. Numri i përgjithshëm i palestinezëve të vrarë gjatë kërkimit të ndihmës është rritur në 2.484, me mbi 18.117 të tjerë të plagosur që nga 27 maji, kur filloi operacionet Fondacioni Humanitar i Gazës, për të cilin flitet se është i diskutueshëm.

Shtatë palestinezë të tjerë, përfshirë dy fëmijë, vdiqën nga kequshqyerja dhe uria në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e të vdekurve të lidhur me urinë që nga tetori i vitit 2023 në 420 persona, përfshirë 145 fëmijë.

Që nga 2 marsi, autoritetet izraelite kanë mbyllur plotësisht të gjitha pikat kufitare të Gazës, duke thelluar vuajtjet në territorin palestinez.

Uria u konfirmua në Gazën veriore në mesin e gushtit dhe parashikohet të zgjerohet në Deir al-Balah dhe Khan Younis deri në fund të shtatorit.

Mgid