Agjencia e OKB-së për Migracionin (IOM) paralajmëron se është detyruar të marrë “vendime të vështira” duke reduktuar mbështetjen për afganët e cenueshëm që kthehen në vend, pasi shkurtimet masive të ndihmës ndërkombëtare po dëmtojnë rëndë operacionet humanitare.

Vetëm këtë vit, mbi 2 milionë shtetas afganë janë kthyer nga Irani dhe Pakistani – shpesh të dëbuar me forcë – me deri në 40 mijë persona që kalonin kufirin çdo ditë gjatë kulmit të krizës në korrik. Shumë prej tyre mbërrijnë pa asnjë mundësi ekonomike, të varfër dhe në nevojë të menjëhershme për strehim e ndihmë bazë.

“Na është dashur të ulim prioritetet edhe para tërmeteve dhe kthimeve masive që nuk i kishim parashikuar,” tha për Euronews Mihyung Park, shefja e misionit të IOM në Afganistan. Ajo theksoi se aktualisht agjencia mezi arrin të ndihmojë 20-30% të të kthyerve, në krahasim me vitin 2023 kur ndihma mund të ofrohej pothuajse për të gjithë.

Situata është rënduar më tej nga një seri tërmetesh që goditën lindjen e Afganistanit në fillim të shtatorit, duke lënë mbi 2.200 viktima dhe mijëra të pastrehë. OKB-ja ka lëshuar një apel emergjence për rreth 140 milionë dollarë për të mbështetur gjysmë milioni njerëz të prekur.

Ndërkohë, shkurtimet e ndihmës perëndimore – sidomos anulimi i 1.7 miliardë dollarëve ndihmë amerikane këtë vit – kanë detyruar rreth 50 organizata ndërkombëtare të reduktojnë ose të mbyllin operacionet e tyre në Afganistan. OKB-ja ka paralajmëruar se mungesa e fondeve mund të kthehet në një “dënim me vdekje” për miliona civilë.

Gratë përballen me sfida edhe më të rënda. Sipas IOM, shumë prej tyre janë të arsimuara dhe të ekspozuara ndaj shoqërive më të hapura në Iran apo Pakistan, por kthehen në një realitet ku talebanët u mohojnë të drejtën për arsim dhe punë. Për më tepër, javën e kaluar agjencia e refugjatëve e OKB-së u detyrua të ndalonte ndihmën për afganët e kthyer pasi autoritetet talebane ndaluan stafin femëror të punonte.

Megjithë pengesat, IOM thotë se mbetet e angazhuar të ofrojë ndihmë përmes programeve të saj humanitare dhe të qëndrueshmërisë, por thekson se pa fonde shtesë, pjesa më e madhe e afganëve të kthyer mbetet e pambrojtur.

Mgid