Fondi Pensional dhe i Sigurimit Invalidor i Maqedonisë së Veriut ka nënshkruar marrëveshje për shkëmbim elektronik të të dhënave me Fondin e Republikës Srpska, nën drejtimin e Milorad Dodikut – një politikan i shpallur fajtor nga Gjykata e Bosnjë-Hercegovinës dhe i sanksionuar ndërkombëtarisht për shkelje flagrante të rendit kushtetues dhe mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare.

Në një kohë kur e gjithë bota demokratike po e izolon Dodikun, qeveria e Maqedonisë së Veriut nënshkruan marrëveshje me institucionet e tij, duke i dhënë oksigjen politik një figure të lidhur ngushtë me projektin e “Botës Serbe”, krah Putinit dhe kundër NATO-s e BE-së.

Heshtja e VLEN-it në këtë rast është skandaloze. Ajo është dëshmi se ky koalicion shqiptar në qeveri nuk ka guxim të thotë asnjë fjalë kundër politikave që e tërheqin Maqedoninë e Veriut drejt Beogradit dhe Moskës. Ky nuk është partneritet, por vazalitet i plotë.

VLEN u shfaq para qytetarëve si faktor i ndryshimit, por sot po mbyll sytë përballë afrimit të rrezikshëm me Republikën Srpska, duke vënë në pikëpyetje jo vetëm orientimin euroatlantik të shtetit, por edhe sigurinë dhe dinjitetin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Aleanca për Shqiptarët i bën thirrje qeverisë që të ndalojë menjëherë këtë politikë të rrezikshme dhe të shpjegojë para opinionit publik pse nënshkroi marrëveshje me institucionet e një entiteti që sfidon hapur rendin ndërkombëtar dhe vlerat euroatlantike.

Aleanca për Shqiptarët

Mgid