Aliu: Bum investimesh në sektorin shëndetësor, po punohet intensivisht në rikonstruksionin e SPQ “8 Shtatori”

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot inspektuan aktivitetet ndërtimore për rikonstruksionin dhe adaptimin e bllokut operativ dhe kujdesit intensiv në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”, Shkup.
– Në sektorin shëndetësor po përjetojmë një bum investimesh në infrastrukturë, teknologji dhe burime njerëzore, sepse besojmë se duke i forcuar këto tre shtylla, do të përmirësojmë shërbimet shëndetësore për qytetarët. Sot pamë një investim prej 12 milionë eurosh, nga të cilat 750 metra katrorë janë salla operacioni. Bëhet fjalë për shtatë salla operacioni, prej të cilave njëra është për kirurgji robotike, për herë të parë në vendin tonë. Gjithashtu, janë paraparë edhe 500 metra katrorë laboratorë me teknologji më të reja. Vlerësoj se kjo qasje do të kontribuojë drejt një sistemi shëndetësor evropian, ku shërbimet do të ofrohen në kohë reale dhe me cilësi, sipas protokolleve të rrepta – theksoi ministri Aliu.
Me këtë investim kapital të rëndësishëm, do të ngrihet ndjeshëm niveli i ofrimit të kujdesit shëndetësor, në kushte moderne, sipas standardeve më të avancuara evropiane dhe botërore. Parashihen shtatë salla të reja operacioni me një sipërfaqe prej 750 m², prej të cilave dy për kirurgji abdominale, dy për ndërhyrje urologjike, dy për vesh-hundë-fyt dhe një për kirurgji oftalmologjike.
Projekti përfshin edhe aparaturë të re me kushte më të avancuara spitalore për pacientët dhe punonjësit shëndetësorë, ndërsa do të rikonstruktohet tërësisht edhe çatia e spitalit.
Në Repartin e Kujdesit Intensiv, në një sipërfaqe prej 500 metrash katrorë, janë paraparë shtatë bokse tërësisht të pajisura për pacientë, me shtretër modernë, të vendosur në linjë dhe me monitorim qendror nga personeli mjekësor. Do të ndërtohet edhe një laborator biokimik, një laborator mikrobiologjik dhe një laborator patologjie.