Në më pak se tre muaj, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, z. Denion Meidani, për herë të dytë vizitoi fshatin Nerovë, duke treguar përkushtim të rrallë për vogëlushët e këtij komuniteti.

I shoqëruar nga deputeti i zonës Musa Xhaferi, drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, z. Besnik Emini, si dhe përfaqësues të shtëpisë botuese Logos, Ambasadori shpërndau çanta, abetare, libra dhe materiale didaktike për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën.

Mirëpo, pas gjithë këtij gjesti mbresëlënës, një e vërtetë e hidhur qëndron mbi kokat e fëmijëve të Nerovës: mësimi ende nuk ka filluar në shkollën e re, ndonëse ajo tashmë është ndërtuar dhe gati për t’u hapur.

Prindërit dhe mësuesit e fshatit theksuan se pavarësisht premtimeve të shumta, nxënësit vazhdojnë të mësojnë në kushte të vështira, ndërsa objekti i ri, që do t’u siguronte mjedis më dinjitoz dhe më bashkëkohor, ende pret të legalizohet e të hapë dyert.

“Fëmijët tanë meritojnë të mësojnë në kushte më të mira, jo të presin pafund për një të drejtë elementare – arsimin. Falënderojmë Ambasadorin Meidani për interesin dhe përkushtimin, por thirrja jonë shkon drejt institucioneve vendase: hapeni sa më shpejt shkollën e Nerovës!” – shprehen banorët.

Vizita e dytë e Ambasadorit Meidani në këtë fshat dëshmon se çështja e shkollës së Nerovës është një prioritet i prekshëm dhe urgjent. Por derisa objektet presin dokumente, ëndrrat e fëmijëve presin një të ardhme më të ndritur.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com