Një avion elektrik i tipit Alia, i ndërtuar nga kompania amerikane Beta Technologies, ka realizuar me sukses një fluturim testues mes dy qyteteve norvegjeze, duke shënuar një hap historik në përpjekjet për dekarbonizimin e aviacionit.
Avioni përshkoi 160 kilometra në 52 minuta, nga Stavanger në Bergen, duke transportuar vetëm me energji elektrike një ngarkesë prej 560 kilogramësh. I projektuar fillimisht për transport mallrash, Alia mund të përshtatet edhe për pasagjerë apo për shërbime emergjente mjekësore.
Ekspertët e shohin këtë arritje si një konfirmim të rolit të Norvegjisë si arenë ndërkombëtare testimi për teknologjitë e reja. Me një rreze veprimi deri në 400 km dhe kohë karikimi më pak se 40 minuta, avioni konsiderohet një nga zhvillimet më premtuese të fluturimeve elektrike.
Megjithatë, sfidat mbeten të mëdha: bateritë janë ende të rënda dhe me densitet të ulët energjie, duke kufizuar përdorimin në distanca të gjata. Projekte ambicioze si ai i Airbus për një avion elektrik urban janë pezulluar, ndërsa aktualisht vetëm Pipistrel Velis Electro nga Sllovenia ka marrë certifikim të plotë në Evropë, por përdoret vetëm për trajnim.
Për të kapërcyer kufizimet, disa kompani po eksplorojnë teknologjinë hibride, që kombinon motorët elektrikë me karburantet tradicionale.