Bajram Rexhepi në Ditën e Fasules: Mbështetje për bujqit dhe zhvillimin e turizmit në Malësinë e Sharrit

Sot në fshatin Vicë u mbajt manifestimi “Dita e fasules së Tetovës dhe patates së Sharrit”, një ngjarje që bashkoi prodhues vendas, dashamirës të gastronomisë dhe vizitorë nga rajoni. Ky aktivitet, i cili po kthehet në një traditë të çmuar, kishte për qëllim promovimin e bujqësisë vendore, turizmit malor dhe ruajtjes së trashëgimisë së pasur të Malësisë së Tetovës.
Në këtë festë mori pjesë edhe Bajram Rexhepi, i cili shprehu kënaqësinë për organizimin dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së prodhuesve vendas.
“Ky manifestim na kujton se kemi detyrim të ruajmë trashëgiminë e çmuar të fshatrave të Malësisë sonë dhe ta promovojmë atë me dinjitet. Zhvillimi i turizmit malor është rruga më e mirë për t’i dhënë Malësisë së Tetovës një perspektivë të re zhvillimore, duke i kthyer vlerat tona në mundësi ekonomike për banorët dhe në atraksion unik për vizitorët”, u shpreh Rexhepi.
Ngjarja u shoqërua me ekspozim produktesh bio, degustim të specialiteteve tradicionale dhe aktivitete kulturore, duke sjellë gjallëri dhe shije unike në këtë zonë malore.
Organizatorët falënderuan të gjithë pjesëmarrësit dhe prodhuesit që me përkushtim e mbajnë gjallë këtë traditë, duke e kthyer Malësinë e Tetovës në një destinacion gjithnjë e më tërheqës për turistët.