Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për kryetar të Tetovës, Bajram Rexhepi, ka zhvilluar sot një takim me banorët e lagjes Dardania, një zonë qendrore e qytetit që, përkundër vendndodhjes, vazhdon të përballet me mungesë serioze të infrastrukturës bazike.

Në fokus të takimit ishin problemet e përditshme të banorëve, si mungesa e kanalizimit, ujësjellësit dhe kushteve të tjera elementare për jetë. Rexhepi shprehu shqetësimin e tij për gjendjen e rëndë në këtë pjesë të qytetit dhe u zotua se Dardania, ashtu si çdo lagje tjetër, do të ketë vëmendjen e duhur nga institucionet komunale në mandatin e tij të ardhshëm.

“Fatkeqësisht, kjo lagje që ndodhet në zemër të Tetovës ende përballet me mungesë serioze të kushteve elementare. Ne do të bëjmë gjithçka që dimë dhe mundemi, që asnjë lagje dhe asnjë qytetar i Tetovës të mos ndihet i përjashtuar, por të ketë kushte dinjitoze për jetë,” deklaroi Rexhepi.

Ai shtoi se prioriteti i tij është që të rikthehet dinjiteti urban dhe social në çdo cep të Tetovës, duke garantuar një qeverisje gjithëpërfshirëse dhe të ndershme.

Fushata e Rexhepit vazhdon me moton #BashkëPërTetovën, duke premtuar një Tetovë më të barabartë për të gjithë./TS

Mgid