Kandidati për kryetar të komunës së Tetovës, Bajram Rexhepi, përmes një deklarate të fuqishme publike ka theksuar vendosmërinë e tij për të rikthyer dinjitetin e qytetit dhe për t’i dhënë fund, siç e cilëson ai, “poshtërimit politik e institucional” që ka përjetuar Tetova.
“Tetova nuk shitet e as blihet!” – është mesazhi që Rexhepi u dërgon qytetarëve, duke i ftuar të bashkohen më 19 Tetor në një moment historik për qytetin. Ai bën thirrje për unitet dhe vetëdijësim qytetar, duke theksuar se është koha që vendimet për të ardhmen e Tetovës të merren me dinjitet dhe në bashkëpunim të plotë me qytetarët.
“Ky është momenti historik të bëhemi #BASHKË, të mos qëndrojmë indiferentë dhe të tregojmë se Tetova është e gjallë, e fortë dhe vendimet për të ardhmen e saj i marrim bashkë, me kokën lart,” – thuhet në deklaratën e tij.
Rexhepi e përfundon mesazhin me një qëndrim të qartë: “Tetova ka zot shtëpie! Në Tetovë askush nuk na ndal dot fjalën në gjysmë!”