Barcelona nuk do të kthehet në “Camp Nou” të dielën, pasi Këshilli i Qytetit nuk i ka dhënë klubit licencën për të rihapur stadiumin.

Gjigantët katalanas po përpiqen të rikthehen në “Spotify Camp Nou” me një kapacitet prej 27,000 vendesh, ndërkohë që vazhdojnë punimet e rinovimit të stadiumit të tyre.

Presidenti Joan Laporta dhe Nënkryetarja Institucionale Elena Fort kishin shprehur shpresën për marrjen e licencës të martën, por ato shpresa dolën të kota.

Sipas “Sport”, Këshilli nuk ua ka dhënë lejen për arsye sigurie.

Zëvendëskryetarja Laia Bonet shpjegoi për gazetën katalanase se, megjithëse përfundimi i fazës së parë është pranë, nuk janë marrë masat e mjaftueshme për rihapjen e stadiumit:

“Jemi në fund të fazës së parë, që do të kulmojë me procesin e licencimit, por duhet të sigurohemi që të gjitha kushtet e sigurisë të plotësohen.”

Bonet theksoi se nuk është detyra e tyre të japin afate ose data.

“Ne ndajmë dëshirën e Barçës për një rikthim të suksesshëm dhe të shpejtë. Por ky Këshill Qyteti duhet të garantojë sigurinë e tifozëve. Ky është prioriteti ynë. Duhet të sigurohemi që teknicienët të punojnë me rigorozitet.”

Ndërkohë, një burim i paemëruar i Këshillit shpjegoi për “Football Espana” problemet kryesore që po pengojnë rihapjen e stadiumit:

“Jemi në fazën e verifikimit. Këto janë kryesisht mangësitë te daljeve të evakuimit dhe pastrimi i fushës. Ka mosrespektim të rregulloreve. Ka gjithashtu çështje të aksesit që ndikojnë në sigurinë e trafikut gjatë evakuimit: sinjalizim i dobët, dorëza, shkallë të përfunduara dobët. Akses për automjete… por është bërë shumë punë, dhe nuk presim që procesi të zgjasë shumë. Nuk është shumë, por mendojmë se mund t’i zgjidhim shpejt.”

Pas konfirmimit të Këshillit se stadiumi nuk mund të hapet, Barcelona njoftoi se ndeshja e tyre e radhës do të zhvillohet në “Estadi Olímpic Lluís Companys” në Montjuic.

Blaugranat do të përballen me Real Sociedad të dielën në mbrëmje, ndërsa UEFA kishte konfirmuar tashmë se ndeshja e tyre e Ligës së Kampionëve më 1 tetor ndaj Paris Saint-Germain do të zhvillohet gjithashtu atje.

Duke folur për rikthimin e tyre në “Camp Nou”, Barcelona deklaroi se do të vazhdojë të punojë për të zgjidhur çështjet e ngritura nga Këshilli, duke falënderuar tifozët për mbështetjen dhe mirëkuptimin e tyre, pavarësisht durimit të pakët që po shfaqet

Mgid