Autoritetet amerikane të imigracionit kanë ndërmarrë një operacion të gjerë në një fabrikë të Hyundai në shtetin e Georgias, duke arrestuar mbi 450 persona, shumica të dyshuar si imigrantë të paligjshëm.

Bastisja u zhvillua në një impiant të madh prodhimi, të ndërtuar për automjete elektrike nga kompania koreano-jugore, i cili ka qenë funksional prej një viti.

Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, urdhri i kërkimit u ekzekutua për shkak të dyshimeve për praktika të paligjshme punësimi dhe krime të tjera të rënda federale. Në operacion morën pjesë disa agjenci amerikane, përfshirë Zbatimin e Imigracionit dhe Doganave (ICE) dhe Byronë për Alkoolin, Duhanin, Armët dhe Eksplozivët (ATF).

Në një deklaratë zyrtare në platformën X, ATF njoftoi se operacioni çoi në ndalimin e 450 të huajve të paligjshëm në zonën industriale prej 3,000 akrash në Qarkun Bryan.

Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut konfirmoi se mes të ndaluarve kishte edhe shtetas koreano-jugorë, duke e cilësuar aksionin si një “shkelje të padrejtë të të drejtave të tyre”. “Aktivitetet ekonomike të kompanive koreane dhe të drejtat e qytetarëve tanë nuk duhet të shkelen gjatë operacioneve të ligjzbatimit të SHBA-së”, thuhet në reagimin zyrtar të Seulit.

Hetimet vazhdojnë, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje për akuzat e plota ndaj fabrikës apo përfaqësuesve të saj.

Mgid