“Izet Mexhiti mbrëmë edhe një herë tregoi se për të gënjeshtrat dhe manipulimet nuk kanë kufij” deklaroi Reshat Ahmeti në konferencën për shtyp të BDI-së. “Ai pretendoi se për një vit qeverisje të VLEN janë punësuar dyfish më shumë shqiptarë sesa gjatë gjithë periudhës së qeverisjes së BDI-së. Një gënjeshtër e tillë meriton të shënohet në Librin e Rekordeve Guinness.”
Ahmeti theksoi se e vërteta është krejt ndryshe dhe se kur Mexhiti flet për punësime, ai ka parasysh vetëm të afërmit dhe njerëzit më të ngushtë të tij. “Ndërkohë që mijëra qytetarë të Çairit dhe Shkupit prej vitesh presin për një mundësi të ndershme, klani i tij mbledh nga dy apo më shumë paga” tha Ahmeti.
Ai e sfidoi Mexhitin publikisht të tregojë vetëm dy emra të qytetarëve nga Çairi që janë punësuar gjatë vitit të kaluar dhe që nuk janë as familjarë të tij e as miq të afërt. “Vetëm dy emra, asgjë më shumë” nënvizoi Ahmeti.
Ahmeti rikujtoi edhe një listë me dhjetëra emra të lidhur me nepotizmin e Mexhitit, nga kushëriri i tij Burim Latifi, drejtor i MEPSO-s, e deri te çifti Imeri, të cilët siç tha ai janë vetëm një pjesë e rrjetit të njerëzve të afërt që Mexhiti i punëson dhe i avancon.
“Kjo listë është vetëm një pjesë e vogël e asaj që qytetarët e Çairit dhe Shkupit e dinë shumë mirë, se për Izet Mexhitin politika gjithmonë ka qenë mjet për të sistemuar familjen dhe miqtë e jo për t’u shërbyer qytetarëve” theksoi Ahmeti.
Duke përfunduar me një mesazh të fuqishëm ai tha: “Çairi nuk është pronë private, as firmë familjare. Mjaft me gënjeshtra dhe mashtrime, është koha që Izet Mexhiti të dalë para qytetarëve me fakte e jo me manipulime.”