Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen njoftoi se do të propozojë paketë masash kundër Izraelit, duke ndërprerë mbështetjen dypalëshe, duke pezulluar pjesërisht Marrëveshjen e Asociimit dhe duke sanksionuar ministrat ekstremistë.
“Do të propozoj paketë masash për të hapur një rrugë përpara. Së pari, Komisioni do të bëjë gjithçka që mund të bëjë vetë. Ne do ta pezullojmë mbështetjen tonë dypalëshe për Izraelin. Do t’i ndalojmë të gjitha pagesat në këto fusha pa ndikuar në punën tonë me shoqërinë civile izraelite”, tha Von der Leyen gjatë fjalimit të saj për gjendjen e Unionit.
Ajo tha se do të propozojë sanksione ndaj ministrave ekstremistë izraelitë dhe kolonëve të dhunshëm, ndërsa propozoi gjithashtu një pezullim të pjesshëm të Marrëveshjes së Asociimit për çështjet që lidhen me tregtinë.
“Muajin tjetër do të krijojmë grup donatorësh për Palestinën, përfshirë një instrument të dedikuar për rindërtimin e Gazës. Kjo do të jetë përpjekje ndërkombëtare me partnerë rajonalë dhe do të ndërtohet mbi vrullin e konferencës së Nju Jorkut të organizuar nga Franca dhe Arabia Saudite”, theksoi Von der Leyen.
Shefja e KE-së bëri thirrje për lirimin e pengjeve, qasje të pakufizuar në të gjithë ndihmën humanitare dhe armëpushim të menjëhershëm, duke theksuar se në planin afatgjatë, e vetmja rrugë realiste drejt paqes është zgjidhja me dy shtete, ku të dyja palët do të jetojnë krah për krah në siguri.
“Ajo që po ndodh në Gaza ka tronditur ndërgjegjen e botës. Njerëz të vrarë ndërsa luten për ushqim, nëna që mbajnë foshnje të pajetë. Këto imazhe janë thjesht katastrofike. Uria e shkaktuar nga njeriu nuk mund të jetë kurrë armë lufte. Për hir të fëmijëve, për hir të njerëzimit, kjo duhet të ndalet”, tha Von der Leyen.