Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mbajti dje fjalën e tij në Debatin e Përgjithshëm të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që përkon me 70-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në OKB.

– Advertisement –
Kreu i Shtetit nënvizoi se ky përvjetor i Kombeve të Bashkuara është një kujtesë e vizionit për dialog e bashkëpunim mes kombeve dhe një mundësi për t’u angazhuar më fort në mbrojtje të paqes, drejtësisë dhe solidaritetit global.

Duke u kthyer te rajoni, kreu i shtetit e vuri theksin te marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Ai tha mesazhe konkrete për Kosovën, që të respektohen të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe që Prishtina zyrtare të bëhet anëtare e OKB-së, si një akt drejtësie dhe kontribut për paqen.

“Vendi i Kosovës në këtë Asamble mbetet padrejtësisht bosh. Njohja e pavarësisë së Kosovës, mbështetja për anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare është një akt drejtësie ndaj popullit të Kosovës, është një hap që forcon edhe më shumë paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe një kontribut në stabilitetin e Europës”, deklaroi Begaj.

Për Shqipërinë, presidenti nënvizoi aspiratën për t’u anëtarësuar në BE brenda vitit 2030, sikundër reformat e ndërmarra për digjitalizimin e shërbimeve publike dhe luftën kundër korrupsionit.

‘Shqipëria promovon aktivisht dialogun, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe integrimin rajonal si e vetmja rrugë drejt stabilitetit dhe prosperitetit të qëndrueshëm. Vizioni ynë është integrimi, zhvillimi i qëndrueshëm dhe ruajtja e vlerave demokratike. Ne besojmë se e ardhmja e rajonit tonë qëndron te bashkëpunimi, jo konflikti, te përparimi i përbashkët, jo rivaliteti. Në këtë frymë, Shqipëria është e gatshme të bashkëpunojë me të gjithë fqinjët për të siguruar që Ballkani Perëndimor të jetë një zonë paqeje, zhvillimi dhe mundësie, që kontribuon aktivisht për Evropën dhe për komunitetin më të gjerë ndërkombëtar’, tha Begaj mes të tjerash.

Mgid