I shoqëruar nga mbështetësit dhe avokati i tij, Genc Gjokutaj, kreu i PD-së, Sali Berisha është paraqitur në SPAK paraditen e kësaj të hëne në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.

Në një deklaratë për media, Berisha theksoi se SPAK është prokuroria e shtetit dhe jo e ndonjë individi, që sipas kreut të PD-së, për secilën dosje të lënë në harresë, do të ketë përballje me ligjin.

“Troplini mori një përgjigje përfundimtare, mandati i tij skadon në dhjetor dhe ky largohet si kryetar i këtij institucioni si një puçist që e zhyti në krim, që fjeti mbi dosjet e krimit dhe që unë e garantoj se për secilën prej tyre do përballet me ligjin. Kjo prokurori është prokurori e shtetit dhe nuk është e asnjë individi. Dhe ai do përballet me ligjin”, tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij, Berisha vlerësoi qëndrimin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, lidhur me përfundimin e mandatit të kreut të SPAK.

“E vlerësoj dhe e çmoj shumë qëndrimin e ri të Departamentit të Shtetit në SHBA, i shprehur nga përfaqësuesja e këtij vendi në Tiranë se mandati i tij mbaron dhe kjo nuk ka komente.

Ndërkohë që më parë kishte një qëndrim tjetër. Dhe e garantoj DASH se ky qëndrim i ri është një ndihmë e vërtetë për luftën kundër krimit dhe karteleve të drogës në Shqipëri”, përfundoi kreu i PD-së.

Mgid