Institucionet fetare nuk janë thjesht tempull i besimit, por edhe kështjella e identitetit
kombëtar dhe vlerave të një populli. Kur ato degradojnë në mentalitete lokale dhe
izolim, dobësohet jo vetëm feja, por e ardhmja e kombit

Nga Mr. Abaz Islami

Në studimet e institucioneve fetare, sidomos në kontekstet ku religjioni luan rol kyç në
formësimin e identiteteve kombëtare dhe shoqërore, rëndësia e një institucioni fetar, të
unifikuar dhe të fuqishëm, është e pakundërshtueshme. Në Maqedoninë e Veriut,
Institucioni më i Lartë Fetar (Bashkësia Fetare Islame – BFI) dikur përfaqësonte jo
vetëm një organ fetar, por edhe një faktor kyç në mbrojtjen dhe afirmimin e interesave
fetare dhe kombëtare të shqiptarëve dhe, përgjithësisht, të myslimanëve të vendit.
Megjithatë, udhëheqja dhe konceptimi i këtij institucioni nga Shaqir Fetai, nga ky
instalacion i dhunshëm nga shërbimet e dyshimta në krye të BFI-së, është shfaqur
problematik dhe përbën një sfidë serioze për integritetin dhe unitetin e këtij komuniteti.
Në këtë shkrim do të trajtohen disa çështje nga disa perspektiva: mentaliteti lokal dhe
izolimi institucional, uzurpimi i institucionit përmes influencave të dyshimta, fragmentimi i
xhamive dhe mungesa e kontrollit institucional, si dhe implikimet politike dhe fetare që
rrjedhin nga kjo situatë.

Mentaliteti i një “mullai” mëhallash
Poeti ynë i madh, Dritëro Agolli, kishte pas thënë: “Mund të nxjerrësh një katundar nga
katundi, por jo katundin nga katundari”! Një nga karakteristikat më të qarta që dalin nga
analiza e qasjes së Shaqir Fetait është reduktimi i rolit të BFI-së nga një institucion me
autoritet të përgjithshëm në një autoritet të ngushtë lokal, të ngjashëm me rolin e një
xhamie të një mëhalle katundi. Ky mentalitet lokalist, sipas teorive të organizimit
institucional dhe studimeve sociologjike të institucioneve fetare, është një pengesë
serioze për ndërtimin e një institucioni që kërkon të funksionojë në një hapësirë më të
gjerë sociale dhe politike. Shaqir Fetait nuk i intereson as zhvillimi institucional, as
Kushtetuta, as statutet, as rregulloret e BFI-së, sepse, të gjitha këto akte juridike, nuk
janë fort të rëndësishme për një xhami në të cilën shprehet adhurimi ndaj Zotit, në të
cilën xhemati falet dhe lutet!

Në filozofinë politike, institucioni është më shumë se thjesht një entitet funksional; ai
është një mekanizëm i përcaktimit të autoritetit dhe legjitimitetit në një shoqëri. Kur
udhëheqësi institucional percepton veten thjesht si administrator lokal dhe refuzon
bashkëpunimin dhe ndërhyrjen në nivele më të gjëra, ai krijon një boshllëk në hierarkinë
e autoritetit dhe përçarje në strukturën sociale.

Mentaliteti “pseudo-fetar” i një udhëheqësi të instaluar
Një dimension thelbësor i qasjes së Shaqir Fetait ndaj Institucionit më të Lartë Fetar
është mentaliteti i tij “pseudo-fetar”. Ky term i përshtatet një mentaliteti që ka formën
dhe pamjen e fesë, por që në thelb është i ngushtë, lokalist, dhe i izoluar nga
përgjegjësitë dhe dimensionet reale të udhëheqjes institucionale fetare. Fetai e trajton
BFI-në si një xhami të vogël lokale, si një fushë kontrolli ku ai mund të veprojë pa
ndërhyrje të jashtme, duke shmangur çdo bashkëpunim dhe dialog institucional me
xhamitë e tjera apo komunitetin më të gjerë. Pra, Shaqir Fetai parapëlqen të mos i
përzihet askush në “xhami”, prandaj ai as nuk përzihet në xhamitë e hoxhallarëve të
pavarur. Me këtë “pavarësim” Shaqir Fetai dëshiron ta thellojë sa më shumë hendekun
e përçarjes dhe, mosarritjes deri te një mendim unik për largimin e tij nga kolltuku i
pamerituar.
Pra, ky mentalitet shfaqet në refuzimin e tij për t’u përfshirë apo për të lejuar përfshirjen
e të tjerëve në “xhaminë” e tij, duke e kthyer këtë institucion fetar në një fortifikim të
mbyllur, ku lidhjet me komunitetin fetar jashtë territorit të tij janë minimale ose
joekzistente. Një “mulla” i zakonshëm i mahallës në një katund mund të ketë një rol të
ngjashëm, por në një kontekst institucional, kjo qasje është e pamjaftueshme dhe
shkatërruese për një komunitet të organizuar dhe të shumëfishtë siç është komuniteti
fetare islam në Maqedoninë e Veriut.
Mentaliteti pseudo-fetar nuk është vetëm një çështje e mungesës së vizionit, por edhe
një lloj kanosjeje për interesat kombëtare dhe fetare, pasi ai minon unitetin, legjitimitetin
dhe autoritetin e institucioneve që duhet të jenë faktorë bashkues dhe jo fragmentues.
Kjo sjellje izolimi dhe ekskluziviteti është e dëmshme në një kohë kur komuniteti ka
nevojë për dialog, transparencë dhe bashkëpunim përballë sfidave të shumta politike
dhe sociale.

Uzurpimi i institucionit për ndihmë shërbimeve të dyshimta
Uzurpimi i BFI-së me ndihmën e shërbimeve të dyshimta tregon për një fenomen të
njohur në studimet politike si “kapje e shtetit”, ku një individ ose grup interesash merr
kontrollin e institucioneve publike ose fetare për qëllime personale apo politike. Kjo çon

në deformimin e funksionit kryesor të institucionit dhe në humbjen e legjitimitetit moral
dhe ligjor.
Në rastin e BFI-së, kjo situatë është veçanërisht shqetësuese sepse institucioni fetar ka
rolin e ruajtjes së një sistemi normativ dhe moral që lidh komunitetin. Kur ky institucion
keqpërdoret, nuk dëmtohet vetëm institucionin vetë, por edhe i gjithë komunitetin që ai
përfaqëson.

Fragmentimi i xhamive
Një nga pasojat më të rënda të konceptimit lokalist dhe uzurpimit institucional është
fragmentimi i komunitetit fetar. Organet (Myftinia e Tetovës, Strugës, Kumanovës,
Shtipit, Kërçovës, Dibrës, Shkupit etj.) si dhe xhamitë nëpër këto Myftini që nuk janë
nën kontrollin e BFI-së, veprojnë si entitete autonome, duke krijuar një mozaik të
pavaruritetit që e dobëson fuqinë kolektive dhe unitetin e bashkësisë.
Nga perspektiva e menaxhimit organizativ, ky fragmentim çon në humbjen e
standardeve uniforme fetare, mungesën e transparencës, dhe rrezikun e depërtimit të
ndikimeve politike e reiligjioze të panjohura. Politikat e brendshme dhe të jashtme gjejnë
terren të lirë në këto xhami të pavarura, duke minuar jo vetëm autoritetin institucional,
por edhe sigurinë dhe stabilitetin e përgjithshëm të komunitetit shqiptar.

Ndërthurja e politikës dhe fesë
Shaqir Fetai e ndan politikën nga funksioni i tij fetar në mënyrë të pakushtëzuar, duke
besuar se “xhamia e tij” mund të mbetet një hapësirë e lirë nga politika. Ky është një
iluzion i rrezikshëm dhe i pabazë në realitetin social. Sipas filozofisë politike moderne,
dhe sidomos nga perspektiva e studiuesve si Antonio Gramshi, marrëdhënia midis
institucioneve fetare dhe politikës është e pandarë. Institucioni fetar është, në thelb, një
arenë ku forcat politike dhe kulturore luftojnë për ndikim dhe legjitimitet.
Mosnjohja e kësaj ndërthurjeje nga ana e udhëheqësit institucional e dobëson më tej
autoritetin dhe aftësinë e tij për të menaxhuar interesat fetare dhe kombëtare. Në vend
që të jetë një urë lidhëse midis besimtarëve dhe pushtetit politik, BFI-ja tashmë është
një insitucion i izoluar dhe i pafuqishëm.

Pasojat për interesin kombëtar dhe fetar
Në një shtet multietnik dhe me sfida të thella politike si Maqedonia e Veriut, ruajtja e
unitetit fetar është ngushtë e lidhur me ruajtjen e identitetit kombëtar. Fragmentimi i

autoritetit fetar dhe ndikimi i faktorëve të jashtëm politikë e religjiozë, sektarist e
ekonomikë në xhamitë e pavarura që janë bërë me dhjetra e qindra në mbarë territorin,
janë kërcënime serioze që mund të ndikojnë negativisht në stabilitetin social, politik,
kulturor e intelektual tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
Ky fenomen krijon hapësira dhe habitat të përshtatshëm për politika e koncepte të huaja
që përfitojnë nga dobësia e institucionit për të ndikuar në komunitet, duke e kthyer atë
në terren të interesave të ndryshme, shpesh në kundërshtim me interesat kombëtare
dhe fetare të shqiptarëve. Më shumë dëgjohet zëri ndikues i “hoxhallarëve të pavarur”
se sa i Shaqir Fetait, i cili me mentalitetin e vet të çoroditur po simulon kakofoni dhe
anarki totale që shumë shpejt do të prekë palcën e interesave kombëtare!

Nevoja për reformë dhe rikthim në vlerat institucionale
Bazuar në këtë analizë, është e qartë se BFI-së i duhet një reformë e thellë që përfshin
një vizion institucional të zgjeruar, larg mentalitetit lokalist, me një autoritet të fortë dhe
legjitim në të gjithë territorin ku jetojnë shqiptarët myslimanë. Kjo reformë duhet të
synojë rikthimin e besimit në institucion, forcimin e kontrollit dhe transparencës mbi
xhamitë dhe aktivitetet fetare, dhe ndërtimin e një marrëdhënie të balancuar dhe të
menaxhuar mirë midis politikës dhe udhëheqjes fetare.
Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet që BFI-ja të mbetet një institucion i fuqishëm,
që mbron interesat fetare dhe kombëtare, duke kontribuar në stabilitetin, zhvillimin dhe
unitetin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Mgid