Bujar Osmani, kandidat për kryetar të Komunës së Çairit, sot iu drejtua opinionit publik për njërin nga problemet më komplekse të komunës, çështjen e qenve endacakë.

“Të gjithë jemi dëshmitarë se problemi me qentë endacakë në Çair është bërë një nga sfidat më serioze për komunën tonë. Kur lëviz nëpër lagje, nëpër parqe apo pranë shkollave, pothuajse gjithmonë has në grupe të qenve endacakë. Kjo shkakton frikë tek banorët, veçanërisht tek fëmijët dhe të moshuarit”, theksoi Osmani.

Ai paralajmëroi një plan të qartë dhe të realizueshëm, i cili sipas tij- është në përputhje me standardet evropiane dhe garanton humanitet dhe efikasitet. Qentë do të mblidhen nga territori i Komunës dhe menjëherë do të sterilizohen. Ata do të qëndrojnë maksimumi një ditë në një lokacion tranzit në Çair, nën mbikëqyrje veterinere dhe në kushte të përshtatshme. Më pas, përmes bashkëpunimit me organizata që merren profesionalisht me trajtimin e qenve endacakë, do të vazhdojnë me kujdesin pas operacionit, vaksinimin, vendosjen e mikroçipit dhe përgatitjen për adoptim.

“Ky është një model që është i harmonizuar me standardet evropiane. Nuk ka improvizime, nuk ka zgjidhje ad hoc. Kemi një rend të qartë: mbledhje, sterilizim, qëndrim të shkurtër, trajtim të mëtejshëm dhe zgjidhje të përhershme në strehimore”, nënvizoi Osmani.

Ai, gjithashtu njoftoi se çdo muaj opinioni do të informohet me raporte për numrin e qenve të mbledhur, të sterilizuar dhe të trajtuar, duke garantuar kështu transparencë dhe llogaridhënie para qytetarëve.

“Qëllimi ynë është i qartë: Çairi të bëhet shembull se si një komunë mund të përballet me këtë problem në mënyrë humane dhe sistematike. Kjo nuk është vetëm masë për kafshët, kjo është masë për cilësinë e jetës të të gjithë banorëve. Unë do të përkushtohem që kjo zgjidhje të zbatohet që nga fillimi i mandatit tim, sepse besoj se me hapa të tillë ndërtojmë një Çair që kujdeset edhe për njerëzit, edhe për kafshët, edhe për vlerat evropiane”, përfundoi Osmani.

Mgid