Kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani, në përgjigje të pyetjes nëse do të pranonte debat me kundërkandidatin Izet Mexhiti, tha se ai nuk i ikën debateve, por se debati kyç që i nevojitet shtetit është me Hristijan Mickoskin, regjisorin e VLEN-it.

Unë, si rregull, nuk i shmangem debateve. Jam përpjekur sa kam mundur të imponoj një fushatë pozitive. T’ju tregoj se politika është garë idesh dhe jo garë fyerjesh e shpifjesh. Dje, në faqet e kundërkandidatit, e shkurtuan deklaratën time kur flisja për politikën e dy shteteve. E prenë Palestinën dhe nxorën vetëm Izraelin për të mashtruar njerëzit. Mendoni çfarë mesazhi është ky. Të mashtrosh njerëzit për të fituar besimin e tyre. A nuk flet kjo për karakterin e tyre. Për mënyrën se si kanë punuar dhe si mendojnë të punojnë. Unë nuk do të veproj kështu, tha Osmani.

Osmani thekson se nuk e pengon debati me Mexhitin, por se përgjegjësia e vërtetë qëndron te ata që qëndrojnë pas projektit politik të quajtur VLEN.

Sa i përket debateve, unë nuk i shmangem atyre. Por nuk duhet të debatoj me ndërmjetës, unë duhet të debatoj me kryesorin. Dua të debatoj me Mickoskin e jo me ndërmjetësin e tij. Ai qëndron pas këtij eksperimenti politik. Me të dua të bisedoj për mënyrën se si e ka bllokuar perspektivën evropiane. Me të dua të bisedoj për mënyrën se si e ka çmontuar Marrëveshjen e Ohrit, si i përjashton shqiptarët nga institucionet. Do të debatoj edhe me ndërmjetësit, por ata nuk janë vendimmarrësit. Opinioni publik tregon se ne do ta mposhtim VLEN-in, por ata do të krijojnë një tjetër VLEN. Më e rëndësishmja është se me ata që e dizajnuan idenë që shqiptarët t’i kthejnë në pakicë, me ta dua të debatoj. Prandaj jam i gatshëm çdo ditë të dal në debat me Mickoskin për çdo temë me të cilën ai e dëmton shtetin, përfundoi Osmani.

Mgid