Kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani, me një mesazh të qartë dhe emocional iu drejtua qytetarëve, duke theksuar se prioriteti i tij i ri, përkushtimi i plotë dhe energjia janë të orientuara drejt zgjidhjes së problemeve të kësaj komune të Shkupit.

“Më thonë, kur ishe ministër i Punëve të Jashtme, nuk ishe mjaftueshëm i pranishëm mes qytetarëve. Po, sepse atëherë misioni im ishte Brukseli dhe Uashingtoni, aty zhvillohej beteja për të ardhmen e shtetit. Por sot, Brukseli im është Çairi, Uashingtoni im është Çairi”, theksoi Osmani, duke porositur se gjithë dijeninë, përvojën dhe kohën e tij po i vë në shërbim të Çairit dhe banorëve të tij.

Në fjalimin e tij, Osmani edhe njëherë e përsëriti mesazhin thelbësor politik të fushatës së tij, se ndryshimi është i domosdoshëm dhe urgjent.

“Një gjë është e qartë për të gjithë, nuk mund ai që për 20 vite ka qenë pjesë e problemit sot të vijë dhe të thotë: ‘Unë jam zgjidhja’”, potencoi Osmani.

Ai paralajmëroi qasjen e tij si një energji e re dhe një frymë e re në menaxhimin e Çairit, qasje që fillon me ndershmëri, disiplinë dhe masa konkrete.

“Ngadalë, por sigurt, hap pas hapi, do të fillojmë me problemet më të mprehta, higjienën, ndërtimet pa leje, objektet ilegale, parkingjet, kaosin në komunikacion, gjithçka që njerëzit më në fund të mund të jetojnë me dinjitet”, shtoi ai.

“Kjo është misioni im. Ky është motivi pse jam futur në këtë garë. Ditë e natë do të punoj për Çairin, por për këtë më duhet mbështetja juaj. Bëhuni forca ime, motivimi im për ta realizuar ndryshimin e shumëpritur”, bëri thirrje Osmani.

Mgid