Bujar Osmani: Ekziston një plan që shqiptarët sërish të reduktohen në pakicë, nuk do të lusim për barazi

Kandidati për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, në takimin e sotëm me qytetarët përcolli një mesazh për barazinë politike të shqiptarëve në shtet, duke paralajmëruar për plane serioze për përjashtimin e tyre nga vendimmarrja.
„Barazia jonë është vënë në pikëpyetje. Ekzistojnë plane të përgatitura mirë, të cilat i di si përmes bashkësisë ndërkombëtare, ashtu edhe përmes informacioneve konfidenciale. Plani është që të ndodhë ‘faza e dytë’: kthimi i statusit të shqiptarëve në pakicë dhe përjashtimi i tyre nga vendimmarrja“, deklaroi Osmani para qytetarëve të Çairit.
Ai e përmendi drejtpërdrejt kryeministrin Mickoski si simbol të asaj agjende.
„E dini pse më urren Mickoski? Jo për shkak të marrëveshjes me Bullgarinë. Jo për çështje të tjera. Por sepse ata nuk duan politikanë shqiptarë që e shohin veten si zotër të shtëpisë“, tha Osmani.
Ai gjithashtu theksoi se asnjëherë nuk ka pranuar rolin e qytetarit të rendit të dytë, as kur e ka udhëhequr diplomacinë maqedonase, as sot.
„Nëse përgjegjësia ime ka qenë të negocioj në emër të shtetit, e mora atë punë dhe mbylla një kontest që kishte zgjatur 30 vjet. Ata nuk duan të ekzistojnë politikanë shqiptarë që ndihen zotër të shtëpisë së tyre. Janë mësuar të na shohin si njerëz që gjithmonë duhet të kërkojnë edhe ndonjë të drejtë, të lusin. Jo! Ne jemi në një stad kur nuk pranojmë asgjë më pak se barazinë e plotë“, theksoi ai.
Në fjalimin e tij, Osmani nënvizoi se synimi i tij kryesor është të mbjellë vetëbesim te të rinjtë:
„Më gëzon që të rinjtë po vijnë në tubime. Dua që te ata të mbjell vetëbesimin.“