Bujar Osmani: Izet Mexhiti duhet të japë dorëheqje, nuk e kryen punën, po e rrezikon shëndetin e njerëzve

Kandidati për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, sot drejtoi kritika të ashpra ndaj ministrit aktual të Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti, duke e akuzuar se jo vetëm që i përdor resurset shtetërore për fushatën e tij personale, por edhe drejtpërdrejt po e rrezikon shëndetin e qytetarëve me mosveprimin e tij.
“Dy herë mendova nëse sot duhet të flas politikisht. Por nuk mund të mos e them: para së gjithash, mendoj se ai duhej të jepte dorëheqje që në ditën kur u kandidua, në mënyrë që gara të ishte e barabartë,” deklaroi Osmani.
Ai theksoi se Izet Mexhiti, në vend që ta lëshonte funksionin kur hyri në garën zgjedhore, mbeti ministër me të gjitha kapacitetet dhe buxhetin në dispozicion, gjë që, sipas Osmanit, është thellësisht imorale dhe e padrejtë.
“U kandidua me pagën e ministrit dhe bën fushatë në Çair me resurset e ministrisë,” paralajmëroi Osmani.
Por, Osmani shtoi se tani ekziston edhe një arsye më serioze për dorëheqje: paaftësia për të përballuar një krizë ekologjike dhe shëndetësore si ajo që ndodhi dje në Trubarevë, kur i gjithë Shkupi u mbulua me tym toksik nga djegia e plastikës dhe kabllove.
“Duke mos e kryer punën për të cilën paguhet nga qytetarët dhe duke u përpjekur të mbijetojë politikisht, ai po e rrezikon shëndetin e njerëzve, jo vetëm përkohësisht, por me pasoja afatgjata,” theksoi Osmani.
Në një situatë kur publiku me të drejtë priste reagim, udhëzime dhe informacione nga Ministria e Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti nuk u paraqit as para publikut, as në terren, ndërkohë që qytetarët në Trubarevë duhej të evakuoheshin vonë natën, dhe i gjithë qyteti po mbytej në tym helmues.
“Prandaj ky është edhe një thirrje për dorëheqjen e tij,” përfundoi Osmani. “Ai tregoi se nuk po e kryen punën e tij siç duhet, po e rrezikon shëndetin e njerëzve, ndërsa në të njëjtën kohë ka keqpërdorur resurset shtetërore për fushatë zgjedhore.”