Kandidati për kryetar të komunës së Çairit nga AKI, Bujar Osmani, sot e prezantoi listën këshilltare me të cilën do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në këtë komunë. Osmani theksoi se bëhet fjalë për një ekip njerëzish të ndershëm, të përkushtuar dhe të respektuar, pa bagazh politik, që vijnë nga të gjitha pjesët e Çairit dhe ndajnë të njëjtën vizion: ndryshim të vërtetë dhe rilidhje me qytetarët.

„Ky është një ekip që nuk pret qytetarët të vijnë tek ata, por ata do të shkojnë çdo ditë tek qytetarët. Nga nesër fillon një aksion i madh në terren për të vizituar çdo rrugë dhe çdo lagje, për ta prezantuar programin, por edhe për t’i dëgjuar problemet dhe nevojat e banorëve“, tha Osmani.

Bartës i listës është z. Kemal Matoshi, zëvendësdrejtor i gjimnazit „Zef Ljuš Marku“, profesor dhe sipërmarrës i suksesshëm, i cili, sipas Osmanit, është një njeri me kredibilitet dhe integritet të jashtëzakonshëm.

„Çairi po ndryshon, ndërsa ndryshimi fillon nga dëgjimi, komunikimi dhe partneriteti i vërtetë me qytetarët. Kjo është një listë këshilltare që do ta shihni rregullisht edhe pas zgjedhjeve, jo si politikanë, por si fqinjët tuaj, aleatët dhe zërat tuaj në Këshill“, theksoi Osmani.

Ai paralajmëroi se me këtë ekip fillon beteja për rikthimin e besimit në pushtetin lokal dhe krijimin e një politike të re që u shërben qytetarëve, e jo partive.

Mgid