Çarshisë së Vjetër nuk i duhen ide të reja dhe inovative, por kthimi i pamjes së saj autentike që do të tërheqë trefish më shumë turistë. Kështu theksoi kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani.

Propozimi për kthimin e pamjes së Çarshisë së Vjetër, si para 100 vjetësh, vjen nga arkitekti me famë botërore nga Meksika, Michel Rojkind, i cili si pjesë e ekipit të Osmanit prezantoi planin “Vizioni Çair 2040”.

“Në vend që të përpiqemi të gjejmë forma të reja inovative, ne vetëm do t’i gjejmë fotografitë e vjetra se si ka qenë Çarshia para 100 vjetësh dhe do t’ua prezantojmë ato njerëzve, pronarëve të dyqaneve”, tha Osmani.

Ai përmendi shembullin e çarshisë në Gjirokastër dhe ndryshimet që ajo ka kaluar.

“Në fillim njerëzit iu kundërvunë këtyre ndryshimeve, por më pas, kur u rrit fluksi i turistëve tre deri në katër herë më shumë, njerëzit në fakt e kuptuan se sa kishin fituar nga kjo”, tha Osmani.

Sipas Rojkind, Çarshia e Vjetër duhet të jetë një vend që e tregon historinë e qytetit dhe e ruan traditën.

“Ju keni një Çarshi të shkëlqyer. Ajo mund të jetë një vend ku kemi mjeshtrit më të kualifikuar në përpunimin e metaleve ose drurit. Si t’i bëjmë çarshitë e vjetra të shndërrohen në vende ku gjithmonë tregohet historia? Çfarë do të ndodhte nëse fillojmë ta pastrojmë Çarshinë dhe t’i gjejmë të gjitha fotografitë e vjetra, mbi bazën e të cilave do ta kthejmë në formën e saj origjinale”, propozoi Rojkind në prezantimin e planit të tij për të ardhmen e Çairit “Vizioni Çair 2040”.

Mgid