Kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani, nga një takim me qytetarët përcolli një mesazh të fuqishëm për kthesën politike dhe kombëtare që pritet në nëntor. Në fjalën e tij, Osmani paralajmëroi se pas strategjisë politike të VMRO-DPMNE-së dhe Hristijan Mickoskit nuk qëndron vetëm ndërrimi i pushtetit, por përpjekja për të fshirë gjithçka që përfaqëson trashëgimi historike dhe vlerore e shqiptarëve.

“Mickoski dëshiron që BDI-ja të fshihet nga skena politike. Pse? Sepse dëshiron të fshihen vlerat e BDI-së, trashëgimia e BDI-së, rrënjët e BDI-së. E ato rrënjë kanë degë që do të zgjasin për breza dhe shekuj. Dhe çdo i ri, edhe nëse harron çfarë ka ndodhur historikisht, do të ketë një nerv brenda vetes: si filloi ky rrugëtim për rikthimin e dinjitetit”, tha Osmani.

Sipas Osmanit, beteja që vjen është përplasja e dy vizioneve: njëra që dëshiron të fshijë dinjitetin shqiptar dhe tjetra që synon ta ruajë dhe ta forcojë atë. Ai paralajmëroi se zgjedhjet në tetor do të jenë një test i pjekurisë historike për secilin individ:

“Në tetor, secili prej nesh do të jetë para një testi: ose do ta legjitimojë politikën e marrjes së sovranitetit, tapinë e shtëpisë, statusin e zotit të saj, ose do ta pranojë rolin e shërbëtorit. Kjo varet nga ju, vëllezër e motra”, tha Osmani.

Osmani theksoi përgjegjësinë që ka secili qytetar si ruajtës i vlerave të fituara me dekada të tëra luftë. Ai i bëri thirrje njerëzve të mos jenë indiferentë, por të mendojnë seriozisht për zgjedhjen që sjell vota e tyre:

“Unë vetëm dua që secili prej jush të ndajë pak kohë dhe të mendojë për përgjegjësinë e madhe që do të bjerë mbi supet tona në tetor. Bisedoni në shtëpi, me miqtë tuaj: a do të lejojmë të na merret e drejta për të vendosur? A do të lejojmë të na poshtërohet gjuha?”

Në fund, Osmani iu drejtua emocioneve dhe kujtesës historike të komunitetit të tij:

“Kur të qëndroni para kutisë së votimit, mendoni për gjakun dhe djersën që janë derdhur për këtë dinjitet, që të respektohemi si zot të shtëpisë sonë. Dhe vendosni: cili do të jetë akti juaj që do të mbahet mend për breza”, përfundoi Osmani.

Mgid