Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, dërgoi një mesazh të fortë për qytetarët që janë mashtruar duke blerë banesa në ndërtime pa leje.

“Qytetarët që kanë shpenzuar kursimet e jetës për banesa të ndërtuara pa leje janë viktima, e jo fajtorë. Ata nuk do të ndëshkohen”, theksoi Osmani.

Ai paralajmëroi se prioriteti i parë do të jetë verifikimi i sigurisë konstruktive të këtyre objekteve.

“Qytetarët sot jetojnë me një sy hapur, duke u frikësuar për sigurinë e familjeve të tyre”, tha Osmani.

Sipas tij, analizat paraprake janë shqetësuese.

“Nëse në Çair ndodhë një tërmet, edhe i vogël, ose një zjarr si ai në Kocan, viktimat do të ishin të panumërta”.

Osmani nënvizoi se qëllimi nuk është ndëshkimi i qytetarëve të mashtruar, por garantimi i sigurisë së tyre.

“Qëllimi ynë është që së pari t’u garantojmë qytetarëve se ndërtesat ku jetojnë janë të sigurta për ta dhe fëmijët e tyre. Pastaj do të hyjmë në proces për një zgjidhje të qëndrueshme”, tha Osmani ndërsa paralajmëroi përgjegjësi të qartë për fajtorët.

“Ata që i kanë mashtruar qytetarët, administrata apo udhëheqësia e komunës, do të mbajnë përgjegjësi”.

Mgid