Kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani, sonte iu drejtua një numri të madh qytetarësh në një tjetër takim energjik me popullsinë lokale. Në fjalimin e tij, Osmani theksoi se kjo nuk është vetëm një fushatë zgjedhore, por një fushatë për të kanalizuar zërin e revoltës dhe zhgënjimit të qytetarëve, të cilët prej 15 muajsh shohin se si degradohen vlerat për të cilat, siç tha ai, “kemi luftuar dhe punuar me dekada“.

„Në çdo derë ku trokitem, në çdo familje ku hyjmë, në çdo tubim, burra e gra, të rinj e të moshuar, me një zë na thonë: Çairi ka nevojë për ndryshim,“ deklaroi Osmani, duke theksuar mbështetjen e gjerë që, sipas tij, po rritet vazhdimisht.

Ai iu referua edhe sondazheve dhe publikimit të sotëm nga Market Vision.

„Tashmë nuk mund ta fshehin të vërtetën. Vetë e pranojnë: rezultati është 2 me 1. Por unë ju garantoj se është shumë më tepër. Do të jetë 4 me 1, pastaj 5 me 1. Kjo është një referendum më 19 tetor dhe ne do ta fitojmë!“ tha Osmani.

Në qendër të mesazhit të tij ishte kritika ndaj VLEN-it dhe Mexhitit, i cili gjatë dy dekadave të fundit e ka udhëhequr Çairin. Osmani tha se ata e kanë robëruar komunën dhe e kanë shndërruar “nga një shërbim për qytetarët në një shërbim për disa individë“.

„Qytetarët sot dërgojnë një mesazh të qartë: ata që për 20 vite ishin pjesë e problemit, nuk mund të jenë sot pjesë e zgjidhjes“, përfundoi Osmani, duke bërë thirrje për një mobilizim vendimtar dhe një vendim historik ditën e zgjedhjeve.

Mgid