Bujar Osmani: Të mos më dërgojnë emisarë nga mafia e ndërtimit, do ta çrrënjos korrupsionin në komunë

“Shtëpia jonë, Çairi ynë nuk po ecën në rrugën e duhur. Sipas të gjithë parametrave që i analizuam, kjo shtëpi jonë po shkon drejt kolapsit të plotë. Sepse për 20 vjet është punuar pa vizion dhe pa plan. I vetmi ‘plan’, për fat të keq, ka qenë interesi personal”, deklaroi kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani, në takimin e sotëm me qytetarët.
Osmani kritikoi ashpër menaxhimin e komunës dhe paralajmëroi se “funksionet e Çairit janë në kolaps të plotë”. Sipas tij, sot Çairi është “komuna më e ndotur në Shkup”, “komuna me problemet më të mëdha të shkaktuara nga kaosi urbanistik dhe mungesa e kushteve”, dhe “një nga komunat më pak transparente dhe më të kriminalizuara në Shkup për shkak të mënyrës së menaxhimit”.
“Që nga dita e parë e mandatit duhet të shpallim gjendje të jashtëzakonshme, krizë në komunë, për problemet me papastërtinë, për ndërtimet pa leje dhe për korrupsionin. Prej asaj dite do të fillojmë të punojmë në kushte të jashtëzakonshme”, theksoi Osmani.
Duke vënë në dukje se papastërtia drejtpërdrejt e rrezikon shëndetin e qytetarëve, ai premtoi se “do të angazhojmë kompani private me mekanizmat e tyre. Do të angazhojmë qytetarë. Do të angazhojmë nxënës të shkollave të mesme. Nuk mund të vazhdojmë as edhe një ditë kështu”.
Osmani theksoi se “kjo papastërti po i helmon fëmijët tanë. Kjo papastërti po i rrezikon të sëmurët tanë. Rrugët e Çairit nuk duhet t’i lajë vetëm shiu kur bie. Fëmijët tanë po rriten në pluhurin e rrugëve të Çairit”.
Në fjalimin e tij, Osmani paralajmëroi gjithashtu fillimin e projektit “Çair pa gropa” si një hap simbolik dhe praktik për të rikthyer rregullin në infrastrukturën urbane.“Kjo nuk është çështje investimesh, por çështje angazhimi që të fillojmë nga gjërat e vogla që na e vështirësojnë jetën”.
Në pjesën më të ashpër të fjalimit, Osmani iu kundërvu drejtpërdrejt atyre që, siç tha ai, mendojnë se do të mund të vazhdojnë me presione, korrupsion dhe kriminalitet.
“Ua përcjell këtë mesazh atyre që mendojnë të më dërgojnë mesazhe ose emisare, ose të përpiqen të ushtrojnë presion e të më frikësojnë: të mos guxojnë. Këtë mesazh e jap para qytetarëve. Askush nuk do të mund të shkelë rregullat në kurriz të së ardhmes së fëmijëve tanë. Asnjë objekt në Çair nuk do të mund të ndërtohet pa leje.”
Ai sulmoi ashpër edhe keqpërdorimin partiak të resurseve publike.
“Nuk dihet se ku shkojnë paratë. Bëhen qindra kontrata fiktive deri në 50.000 denarë. Ne nuk do ta mbajmë partinë e Mexhitit me taksat tona. Dhjetëra mijëra euro shpenzohen për kafe dhe për uljet e funksionarëve të partisë. Këto janë paratë tona, këto janë paratë që ua merrni nga buka, nga fëmijët tuaj. Partitë nuk kanë të drejtë të kushtëzojnë me paratë tona”.
“Që nga ajo ditë do të fillojmë një auditim të brendshëm dhe të jashtëm të plotë për të ndalur keqpërdorimet dhe shpenzimet e panevojshme”, paralajmëroi Osmani, duke shtuar se në mandatin e tij, prioritet do të jetë kthimi i Çairit te qytetarët, përmes rregullit, drejtësisë dhe llogaridhënies publike.