Me fillimin e vitit të ri shkollor, dyert e shkollave të mesme dhe fillore në Maqedoninë e Veriut u hapën për rreth 245 mijë nxënës, prej të cilëve mbi një e treta janë gjimnazistë dhe nxënës të shkollave profesionale. Këtë vit në arsimin e mesëm janë regjistruar 67.200 nxënës, mes tyre 17.230 fillestarë. Për procesin mësimor janë angazhuar 6.709 profesorë, ndërsa për herë të parë u përfshinë edhe 130 asistentë për nxënësit me nevoja të veçanta.
Megjithatë, pas shifrave zyrtare fshihet një realitet shqetësues – numri i nxënësve po zvogëlohet ndjeshëm. Vetëm në dhjetë vitet e fundit, bankat shkollore kanë humbur mbi 8.600 nxënës, që është sa popullsia e komunës së Jegunovcës. Në vitin shkollor 2015/2016 kishte 72.799 nxënës, ndërsa këtë vit vetëm 64.167. Në total, për një dekadë numri i gjimnazistëve është ulur me mbi 16 për qind, ose 13.152 nxënës më pak, informon Pari.mk, përcjell PressOnline.al.
Rënia më e madhe është regjistruar në rajonin e Pollogut me një ulje prej 20,4% ose 2.598 nxënës më pak. Rënie të theksuara ka edhe në rajonet Juglindore dhe Lindore (rreth 26%), ndërsa më e ulëta është në rajonin e Shkupit me 7,6%.
Edhe pse numri i klasave dhe profesorëve mbetet pothuajse i qëndrueshëm, trendi i vazhdueshëm i rënies së nxënësve është pasojë e drejtpërdrejtë e krizës demografike dhe emigrimit masiv. Ekspertët paralajmërojnë se kjo prirje jo vetëm që do të zbrazë më tej shkollat, por do të sjellë edhe pasoja serioze për tregun e punës dhe ekonominë në tërësi.
Sipas tyre, problemet nuk mund të zgjidhen vetëm me rritje të natalitetit, por me politika që do t’i mbajnë të rinjtë dhe familjet brenda vendit.