Avioni me të cilin udhtonte Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, nga Varshava drejt Plovdivit në Bullgari, u detyrua të realizonte “ulje manuale” pasi sistemet ndihmëse satelitore për navigim nuk funksionuan.

Sipas Financial Times, ngjarja mund të jetë shkaktuar nga një sulm rus ndaj sistemeve të komunikimit dhe orientimit të transportit ajror.

Pilotët e fluturimit special u detyruan të përdorin vetëm hartat e printuara në avion, pa asistencën e sistemit GPS.

Një zyrtar i aeroportit deklaroi: “GPS-i i të gjithë zonës së aeroportit u fik. Pasi fluturoi përreth një orë, piloti mori vendimin për ta ulur aeroplanin manualisht duke përdorur harta analoge.”

Incidenti përkon me një rritje të dukshme të ndërhyrjeve në sinjalet GPS që nga shkurti i vitit 2022. Reagimet nga qeveritë e BE-së paralajmërojnë se bllokimet e tilla rrezikojnë sigurinë e avionëve komercialë dhe mund të shkaktojnë aksidente serioze.

Akuzat ndaj Rusisë u mohuan nga Kremlini. Zëdhënësi Dmitry Peskov tha për FT se “informacioni i bërë publik dhe pretendimet janë të pasakta”.

Megjithatë, përdorimi i bllokimit dhe falsifikimit të GPS-it, i cili pengon aksesin në sistemin satelitor, është përdorur më shpesh nga Rusia si një mjet për të ndikuar operacionet civile dhe ushtarake.

Von der Leyen po udhëtonte për t’u takuar me kryeministrin bullgar, Rosen Zhelyazkov, dhe për të vizituar një fabrikë municionesh, si pjesë e turneut të saj në vendet e vijës së frontit të BE-së, ku po diskutohet të kordinohet një mbrojtje kundër agresionit rus.

Vetëm pak ditë më parë Von der Leyen, sulmoi ashpër presidentin Putin duke e quajtur një grabitqar.

“Presidenti rus Vladimir Putin nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë. Ai është një grabitqar. Ai mund të mbahet nën kontroll vetëm përmes një frenimi të fortë,” tha ajo.