Delegacioni i Komisionit të Venecias, i udhëhequr nga zëvendëskryetari Martin Kuyer, u takua me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, dhe gjyqtaren Ana Pavllovska Daneva. Ata, siç njofton Gjykata, janë interesuar për kuptimin dhe përmbajtjen e Balancuesit, të cilin e shfuqizuan, transmeton Portalb.mk.

“Anëtarët e Komisionit të Venedikut shprehën interes për kuptimin dhe përmbajtjen e vendimit të Gjykatës U.br.90/2024, i cili shfuqizoi dispozitat e disa ligjeve dhe akteve nënligjore që lidhen me konceptin e “përkatësisë së komuniteteve”, pjesë e të cilës janë edhe pjesë nga Metodologjia për planifikimin e punësimit në sektorin publik në përputhje me parimin e përfaqësimit adekuat dhe të drejtë, i njohur në publik si “Balancuesi”. Të dyja palët shprehën gatishmërinë e tyre për të vazhduar bashkëpunimin dhe dialogun konstruktiv në periudhën e ardhshme. Takimi u zhvillua më 3 shtator në ambientet e Gjykatës Kushtetuese”, njofton Gjykata Kushtetuese.

Projektligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat i miratuar në qershor nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, për momentin gjendet në Komisionin e Venedikut, institucion ky që duhet të jep mendim për kualitetin e ligjit. Zgjidhja ligjore, nga ana e RMV-së, i është dorëzuar komisionit më 11 korrik 2025 duke kërkuar nga ata mendim urgjent mbi këtë ligj.

Nga ky komision për Portalb.mk thonë se shqyrtimi i ligjit është caktuar të bëhet në tetor, në seancë plenare. Por, siç thanë, ka gjasa të shqyrtohet dhe më herët në rast se organi kërkues (Qeveria e RMV-së) mund të dëshmojë se pse pritja deri në tetor nuk është e përshtatshme.

“Balancuesit” në Maqedoni u shfuqizua më 9 tetor 2024 dhe gati një vit nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore.

Lënda për shfuqizimin e tij u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse, sipas tyre, me të bëhen abuzime gjatë punësimit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume