Agjencia për Kadastër ka hequr licencat e pesë firmave gjeodezike për shkak se nuk kanë paraqitur gjendjen reale në terren. Drejtori i Agjencisë, Ivan Zhivkovski, theksoi se qëllimi është të rritet përgjegjësia dhe besueshmëria e sektorit. Në një intervistë për Radion Europa e Lirë ai sqaroi se një nga hapat kryesorë është rivënia në funksion e regjistrit të çmimeve dhe qirave të patundshmërive, i cili ishte ndalur nga udhëheqja e mëparshme. Ky regjistër do të mundësojë transparencë më të madhe dhe pritet të ndihmojë në stabilizimin e tregut të pasurive të patundshme, ku çmimet kanë shënuar rritje të lartë në dy vitet e fundit. Zhivkovski vlerëson se deri më tani nga kjo situatë kanë humbur qytetarët dhe bizneset, ndërsa kanë përfituar vetëm investitorët.

IVAN ZHIVKOVSKI, DREJTOR I AGJENCISË PËR KADASTËR

“Unë e di kush humbet. Humbin të gjithë, mbi të gjitha qytetarët, sepse në tregun e patundshmërive, sidomos në ato faqet e njohura të internetit dhe agjencitë për patundshmëri, shpallen oferta me çmime të paarsyeshme dhe jo reale. Fatkeqësisht, kjo u konvenon vetëm investitorëve”.

Ai paralajmëroi se procesi për krijimin e regjistrit unik të pasurisë shtetërore po vazhdon, por ende një pjesë e madhe e pronës publike nuk është e regjistruar.

IVAN ZHIVKOVSKI, DREJTOR I AGJENCISË PËR KADASTËR

“Për fat të keq, kemi pasur dhe ende kemi situatë ku një pjesë shumë e madhe e objekteve shtetërore kanë qenë pa fletë posedimi, konkretisht mund të përmendim vilën ‘Biljana’, vilën presidenciale, disa ministri e kështu me radhë. Megjithatë, gjatë vitit të kaluar janë zgjidhur diku rreth 40 objekte të këtij lloji”.

Drejtori i kadastrës tha se komunat kanë probleme edhe me mbledhjen e tatimit mbi pronën, pasi shpesh nuk kanë të dhëna të sakta për pasuritë. Për herë të parë pas shumë vitesh, Agjencia për Kadastër nuk ka asnjë lëndë të prapambetur. Sipas Zhivkovskit, të gjitha rastet e vjetra janë zgjidhur, ndërsa aktualisht Enti Shtetëror i Revizionit po kryen kontroll të brendshëm. Raporti final pritet të publikohet në fund të tetorit ose fillim të nëntorit.

Mgid