Rreth 50 fluturime janë anuluar dhe po aq të tjera janë devijuar në aeroporte të tjera gjatë një nate kaotike në qiellin e Kopenhagenit, ku në aeroportin e kryeqytetit danez janë vërejtur “3-4 dronë me përmasa të mëdha”, sipas policisë. Këta dronë kanë hyrë dhe dalë nga hapësira ajrore e aeroportit për disa orë, duke shkaktuar ndërprerje serioze në trafikun ajror.
Forcat e rendit kanë ndërmarrë masa maksimale për të rikthyer situatën në normalitet. Ndërkohë, edhe në Norvegji është raportuar për dronë që kanë fluturuar mbi një zonë ushtarake pranë Fortesës së Akershus. Dronët u vunë re rreth orës 21:00 nga Forcat e Mbrojtjes norvegjeze. Hapësira ajrore mbi aeroportin e Oslos mbeti e mbyllur për rreth tri orë, duke ndikuar në 12 fluturime.
Jens Jespersen, një nga përgjegjësit e policisë së Kopenhagenit, u shpreh në një konferencë për shtyp: “Numri, madhësia, trajektoret e fluturimit dhe koha e qëndrimit mbi aeroport tregojnë për një aktor të aftë dhe të organizuar. Se cili është ky aktor, nuk e dimë ende.”
Kjo situatë është cilësuar si “një kërcënim i rëndësishëm sabotuese” dhe “një gjendje jashtëzakonisht serioze” nga Flemming Drejer, kreu i shërbimeve sekrete daneze, i cili tha se po shqyrtohen “të gjitha mundësitë”, duke mos përjashtuar edhe një skenar me origjinë ruse.
Aeroporti i Kastrup, më i madhi në Danimarkë, u mbyll rreth orës 20:30 pas raportimeve për dronë të dyshimtë që fluturonin mbi zonën e aeroportit. Disa fluturime që ishin planifikuar të aterronin në Kopenhagen u devijuan drejt aeroporteve të tjera në vend, ndërsa brenda aeroportit u krijuan radhë të gjata pasagjerësh të bllokuar.
Me kalimin e orëve, rreth 70 fluturime u devijuan edhe në aeroporte në Suedi, si në Malmö dhe Göteborg. Janë anuluar gjithsej 50 fluturime. Aeroporti u hap përsëri pak pas mesnatës, por pritet të ketë vonesa dhe anulime të tjera.
Një zëdhënëse e policisë, Anette Ostenfeldt, konfirmoi se bëhet fjalë për “tre apo katër dronë të mëdhenj, jo amatorë”, që fluturonin brenda dhe jashtë zonës së aeroportit. Sipas disa burimeve, në ajër u ngritën edhe helikopterë. Për ngjarjen po heton edhe ushtria daneze.