Gjykata e Lartë Federale në Brazil ka refuzuar kërkesën për lirim të ish-futbollistit Robinho, duke vendosur që ai të vijojë të qëndrojë në paraburgim.

Vendimi u mor në një seancë virtuale të zhvilluar të premten (29 gusht), ku 10 nga 11 gjyqtarët votuan kundër lirimit të tij.

Robinho, 40 vjeç, ndodhet në burg që nga marsi i vitit 2024, pasi Gjykata e Lartë e Drejtësisë (STJ) pranoi zbatimin në Brazil të vendimit të gjykatës italiane, e cila e dënoi ish-sulmuesin me nëntë vite burg për pjesëmarrje në përdhunimin e një gruaje shqiptare në një klub nate në Milano, në vitin 2013.

Avokatët e tij apeluan vendimin, duke argumentuar se dënimi nuk mund të ekzekutohej pa u shteruar të gjitha mundësitë e apelimit.

Megjithatë, Gjykata e Lartë Federale e rrëzoi këtë pretendim, me përjashtim të gjyqtarit Gilmar Mendes, i cili hodhi votën e vetme pro lirimit të përkohshëm, përcjell tch.

Vendimi e lë Robinhon përfundimisht pas hekurave, ndërsa ish-lojtari i Real Madridit dhe Milanit do të duhet të vuajë dënimin në një burg brazilian.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume