Myftinia e Shkupit duhet të japë llogari: kush i ka financuar këto udhëtime, sa kanë
kushtuar, kush ka përfituar prej tyre, dhe çfarë përfitimi real kanë sjellë për jetën fetare e
shoqërore të qytetit. Transparenca nuk është opsion, është detyrim

Nga Mr. Eset Shaqiri, teolog

Është e papranueshme dhe tejet skandaloze ajo që po ndodh me organin fetar islam në Shkup. Në
emër të një “seminari” të supozuar profesional, Myftinia e Shkupit ka organizuar seminar në
Bursa të Turqisë të cilin ua bën “hejdije” 107 imamëve nga Shkupi! Në fakt, ky “seminar”, kjo
ngjarje është shndërruar në një ekskursion banal, në një shëtitje të kamufluar me petkun e
“arsimimit fetar”.
Çfarë “seminari” është ky që organizohet Nga Myftinia e Shkupit, në Turqi, me ligjerues turq,
ndërkohë që mbi 98 për qind e pjesëmarrësve (imamëve shkupjanë) nuk kuptojnë gjuhën turke?
Çfarë logjike ka që një organizatë si Myftinia e Shkupit, e cila ka hapësirat dhe mundësitë e veta
për të organizuar seminare serioze në vend, e çon gjithë trupën e saj të imamëve dhe 75 % të
Rijasetit në një shtet tjetër, me ligjërues që askush nuk i kupton? Nëse qëllimi ishte edukimi, pse
të mos vijnë ligjëruesit këtu, siç është tradita e çdo organizimi të ndershëm?
Ky veprim ka vetëm një erë: erën e korrupsionit dhe shpëlarjes së parave. Sepse është absurde
që, në vend që buxheti i Myftinisë të përdoret për të rritur rrogat qesharake të imamëve, për të
garantuar kontributet e tyre shëndetësore e pensionale, apo për të përmirësuar kushtet e punës,
shpenzohen shuma të mëdha në një udhëtim të panevojshëm. Mjafton të krahasohen kostot e
këtij “seminari” me atë çka mund të ishte një rritje e ndjeshme e pagave dhe, absurditeti del në
pah.
Për më tepër, transparenca është zero. Kush e financon këtë aktivitet? A janë përdorur fondet e
Myftinisë? A janë përdorur të ardhurat e besimtarëve? Apo mos janë përfshirë të ashtuquajturat
“donacione” nga xhami private të cilat nuk i nënshtrohen asnjë kontrolli institucional? Nëse po,
kjo nuk është bamirësi, por një pazar i pistë, ku donatori “bler” qetësinë dhe heshtjen e
institucioneve.
Një pyetje e madhe ngrihet këtu: ku është Rijaseti? Si lejon organi më i lartë fetar që një pjesë e
madhe e imamëve të një qyteti të braktisin detyrën e tyre për një ekskursion të tillë? Si lejon
Rijaseti që në aksion për shpëlarje parash të pista, të përfshijë më shumë se gjysmën e Rijasetit,
apo, tashmë askush nuk i bindet drejtuesit të dhunshëm e kontravers, Shaqir Fetait. A nuk është
kjo një fyerje e drejtpërdrejtë ndaj besimtarëve, të cilët presin shërbim fetar e moral nga imamët
e tyre, jo aventura turistike në Bursa?
Po shteti? Ku janë organet e kontrollit, të cilat duhet të hetojnë qartazi një aktivitet që ngjan me
shpëlarje parash? Kjo nuk është më çështje e brendshme e një institucioni fetar, kjo është një
çështje publike, sepse përfshin financa, fonde, dhe mbi të gjitha, dinjitetin e qytetarëve. Në
Kosovë tashmë janë hapur dosje për korrupsion dhe abuzime në Bashkësinë Islame; pse të mos

ndodhë e njëjta gjë edhe këtu? Apo mos vallë kemi të bëjmë me një rrjet të tërë interesash ku “të
gjithë janë të përlyer”?
Është koha që kjo lojë e turpshme të marrë fund. Myftinia e Shkupit duhet të japë llogari: kush i
ka financuar këto udhëtime, sa kanë kushtuar, kush ka përfituar prej tyre, dhe çfarë përfitimi real
kanë sjellë për jetën fetare e shoqërore të qytetit. Transparenca nuk është opsion, është detyrim.
Nëse nuk ka përgjigje të qarta, atëherë është e domosdoshme që prokuroria, organet e financave
dhe vetë Rijaseti të ndërhyjnë menjëherë. Sepse përndryshe, ky vend i shenjtë do të vijojë të
përdoret si një kasafortë private për ambicie, korrupsion dhe vetë-promovim, duke u tallur me
dinjitetin e imamëve dhe të vetë besimtarëve.
Arti i fesë është të shërbesh, jo të shëtitësh. Besimi është sakrificë, jo privilegj i “liderëve” të
vetë-shpallur. Është koha që drejtësia të thotë fjalën e vet.

Mgid