Kombëtarja U19 e Maqedonisë së Veriut po shkëlqen nën drejtimin e seleksionuesit Erhan Selimi. Pas triumfit bindës 2:0 në Radovis, ku ekipi tregoi disiplinë dhe efikasitet, sot në Strumicë kuqeverdhët e rinj arritën një tjetër fitore – këtë herë 2:1 ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës informon Tetovasot.
Nënvizimi më i madh i kësaj periudhe është fakti se brenda vetëm tre ditësh, Maqedonia e Veriut U19 arriti të mposhtë të njëjtin kundërshtar dy herë, duke konfirmuar se puna e Selimit dhe stafit teknik po jep fryte të qarta.
Në fitoren e sotme, Stefan Mladenovski me qetësi të hekurt shënoi nga penalltia, ndërsa Igor Ristov përfitoi nga një gabim i mbrojtjes mysafire për t’i dhënë epërsinë vendimtare skuadrës. Pavarësisht tentativave të Bosnjës, djemtë e Selimit menaxhuan me maturi rezultatin, duke treguar jo vetëm talent individual, por mbi të gjitha lojë ekipore dhe karakter.
Dy fitore në dy ndeshje janë më shumë se statistika – ato janë dëshmi e një vizioni të qartë dhe metodologjie moderne që Selimi po i implementon te kjo gjeneratë. Ai ka arritur të krijojë një grup të bashkuar, me frymë të fortë garuese dhe me besim se mund të përballen me çdo kundërshtar.
Ky është një sinjal inkurajues për të ardhmen e futbollit ne vend , sepse gjenerata e U19 po rritet me kulturë të re futbolli dhe me besim të fortë në vetvete. Erhan Selimi po vërteton se është njeriu i duhur për të ndërtuar bazat e suksesit në vitet që vijnë.Tetovasot