Zëvendëskryeministri Arben Fetai në një konferencë për media deklaroi se vizita e Komisionit të Venecias në Shkup është pjesë e procesit përgatitor për mendimin e tyre lidhur me Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i cili sipas tij do të jetë një kthesë historike për shtetin.

“Ky ligj është dërguar për mendim në Komisionin e Venecias për një arsye thelbësore: që ai të jetë plotësisht konform Kushtetutës dhe standardeve evropiane, duke eliminuar çdo hapësirë për interpretime apo kontestime të mëvonshme”, tha Fetai, duke shtuar se Qeveria ka adresuar katër pyetje kyçe që lidhen me avancimin e përfaqësimit, barazinë, respektimin e lirive themelore dhe funksionalitetin e trupit koordinues qeveritar.

Ai theksoi se ky ligj për herë të parë e shndërron parimin e përfaqësimit të drejtë në një detyrim ligjor të qartë dhe të zbatueshëm për çdo institucion, ndërsa brenda gjashtë muajve do të bëhet harmonizimi i të gjithë legjislacionit sektorial me këtë ligj.

“Ky ligj është i vonuar. Ai duhej të ishte miratuar që nga viti 2003. Miratimi i tij do të korrigjojë edhe një tjetër padrejtësi të trashëguar nga regjimi i BDI-së. Ky nuk është ligj për një bashkësi të vetme, por ligj për të gjithë qytetarët dhe për të gjitha komunitetet. Me këtë ligj, përfaqësimi i drejtë nuk është më nocion deklarativ, por një e drejtë e garantuar dhe e mbrojtur nga mekanizma të qëndrueshëm institucional”, theksoi Fetai.

Ai nënvizoi se pas marrjes së mendimit nga Komisioni i Venecias, projektligji shumë shpejt do të dërgohet në Parlament për procedurë parlamentare, ku pret mbështetje të gjerë politike.

Mgid