Është e papranueshme ajo që po ndodh në agjendën e reformave, këtë vit duhej të miratoheshin 12 ligje, shtatë prej të cilave ishin të lidhura me buxhete të caktuara nga fondet evropiane të destinuara për vendin tonë deri në qershor. Fatkeqësisht, asnjë nga ato ligje nuk është miratuar, thotë lideri i LSDM-së, Venko Filipçe.

Pesë ligje, theksoi Filipçe, që duhej të miratoheshin nga qershori deri në dhjetor, me siguri nuk do të miratohen.

“Ligje që kanë të bëjnë me një nga segmentet kryesore prioritare në vend, me gjyqësorin, ku ekziston një ligj për buxhetimin e gjyqësorit, për Këshillin Gjyqësor, për prokurorin publik, për lëvizjen e lëndëve gjyqësore, për pagat e gjyqtarëve. E gjithë kjo i ngarkon qytetarët çdo ditë. Më vjen keq, por është e papranueshme që Qeveria të mos punojë në atë fushë, tha Filipce, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske pas brifingut për prezantimin e Rezolutës për përcaktimin e qëndrimeve të përbashkëta për vazhdimin e rrugës evropiane të vendit.

Pas tragjedisë në Koçan, Filipçe theksoi se ka qenë te kryeministri dhe ka ofruar një grup juridik, i cili dha mendim për ligjet nga Ministria e Drejtësisë, por ata nuk morën asnjë përgjigje dhe as nuk u thirrën në ndonjë nga takimet e punës.

I pyetur nëse gjyqtarët dhe prokurorët publikë meritojnë paga më të larta, Filipçe tha se gjyqtarët i përkasin një autoriteti të pavarur dhe se Qeveria duhet të zbatojë procese për forcimin e këtij segmenti.

“Unë besoj se deklarata të tilla për gjyqtarët janë një poshtërim për njerëzit që janë profesionistë dhe i përkasin një autoriteti të pavarur dhe për të cilët Qeveria është ajo që duhet të zbatojë proceset për të forcuar atë segment. Kjo absolutisht duhet të jetë një përparësi”, tha Filipçe.

Mgid