Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe sot reagoi për deklaratën e kryeministrit Hristian Mickoski për situatën në gjyqësor, duke theksuar se të vetmit të cilët janë të dëshpëruar dhe të pakënaqur nga moszbatimi i reformave në gjyqësor, janë vetë qytetarët.

Filipçe theksoi se kryeministri Mickoski është drejtpërdrejt përgjegjës për situatën në gjyqësor dhe moszbatimin e reformave të nevojshme.

“Mendoj se është absolutisht e papranueshme që kryeministri të veprojë si analist i pavarur dhe të komentojë vetëm për situatën në gjyqësor, kur ai është drejtpërdrejt përgjegjës për zbatimin e reformave. Deri më tani, asnjë nga reformat e parashikuara nuk është zbatuar përmes miratimit të ligjeve reformuese në gjyqësor në përputhje me Planin e Rritjes”, tha Filipëe në deklaratë për mediat.

Ai theksoi se nga ligjet e reformave të cilat janë paraparë që të miratohen, në Kuvend nuk është parashtruar asnjë.

“Për këtë vit ishin planifikuar 12 ligje, shtatë prej të cilave duhej të miratoheshin deri në qershor të vitit 2025. Asnjë nuk është parashtruar në Kuvend, dhe 5 të tjera duhet të miratoheshin nga qershori deri në dhjetor 2025 në përputhje me Planin e Rritjes – diçka për të cilën është i lidhur një buxhet i caktuar nga Bashkimi Evropian, nga i cili sigurisht që kemi humbur një pjesë. Nga ato 5 ligje, asnjë nuk është miratuar nga Ministria e Drejtësisë”, tha Filipçe.

Ai tha se Qeveria e VMRO-DPMNE-së e cila ka shumicë të madh në Kuvend, 58 deputetë dhe afro dy të tretat e shumicës me koalicionin qeveritar, nuk ka asnjë arsye për këtë që tani ndodh me moszbatimin e reformave në sistemin gjyqësor.

“Vlerësoj se gjithçka që bën kjo qeveri janë vetëm fjalë boshe, vetëm deklarata, vetëm njoftime dhe se gjithçka që ishte gënjeshtër parazgjedhore vitin e kaluar, tani është tashmë e qartë se asgjë nga kjo nuk do të zbatohet dhe është praktikisht i njëjti model sjelljeje tani në sytë e kësaj fushate kur bombardohemi nga reklama të rreme. Më vjen keq që është kështu, veçanërisht në një sektor ku reformat janë të pashmangshme, ku është shkruar në letër nga BE se çfarë duhet bërë dhe çfarë duhet zbatuar, në mënyrë që të arrihet një gjyqësor i fortë dhe i pavarur, kjo është ajo që qytetarët presin dhe kërkojnë”, tha Filipçe

Mgid