Më shumë se 70 persona u vranë, kur Forcat Paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë të Sudanit kryen një sulm me dron në një xhami në al-Fashir, kryeqytetin e shtetit të Darfurit të Veriut, gjatë lutjeve, tha të premten Këshilli i Sovranitetit të vendit.

Sulmi vjen në mes të shpërthimit të fundit të dhunës në një luftë civile që po hyn në vitin e tretë midis ushtrisë sudaneze dhe RSF-së.

Pak ditë më parë qeveria sudaneze, e lidhur me ushtrinë, hodhi poshtë të shtunën, më 13 shtator, një propozim për armëpushim të paraqitur të premten nga Shtetet e Bashkuara, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti, duke refuzuar të përjashtohet nga tranzicioni i ardhshëm politik në Sudanin e shkatërruar nga lufta.

Në një deklaratë të përbashkët të premten, të katër vendet bënë thirrje për një armëpushim humanitar tremujor në Sudan, të ndjekur nga një armëpushim i përhershëm dhe një tranzicion nëntëmujor drejt një qeverie civile.

Ata këmbëngulën që ky tranzicion duhet të jetë “gjithëpërfshirës dhe transparent” dhe të përfundojë në kohë “në mënyrë që të përmbushen aspiratat e popullit sudanez për krijimin paqësor të një qeverie të pavarur civile me legjitimitet dhe llogaridhënie të gjerë”.

Që nga prilli i vitit 2023, Sudani është shkatërruar nga një konflikt midis ushtrisë dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF).

Lufta ka vrarë tashmë dhjetëra mijëra njerëz, ka zhvendosur miliona dhe ka shkaktuar atë që OKB e përshkruan si një nga krizat më të këqija humanitare në botë./ Reuters.

Mgid