Kush është me “Botën Serbe”? AKI akuzon VLEN-in, VLEN-i akuzon AKI-në, zbulohet dokument për vizitën e Afrim Gashit në Beograd.
Përplasjet politike në Maqedoninë e Veriut kanë marrë një drejtim të ri pas akuzave të ndërsjella mes koalicionit VLEN dhe AKI, lidhur me ndikimin e ashtuquajtur “Bota serbe” në vend.
Gazetari Furkan Saliu ka publikuar një dokument që, sipas tij, dëshmon se Afrim Gashi, një nga figurat kryesore të VLEN-it dhe tani kryetar parlamenti, ka qenë për vizitë në Beograd vitin e kaluar. Në postimin e tij, Saliu kërkon publikisht nga VLEN që të sqarojë në çfarë cilësie ka qenë Gashi në Beograd dhe cili ka qenë qëllimi i vizitës.
Nga ana tjetër, tensionet politike thellohen edhe më tej pasi edhe Parlamenti Evropian ka ngritur shqetësime për ndikimin e “Botës serbe” në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se ky ndikim po zgjerohet në mënyrë alarmante, përcjell TS.
Ndërkohë, vëmendje ka marrë edhe një zhvillim tjetër: me miratimin e Bujare Abazit, është lejuar hyrja e një banke serbe në tregun financiar të Maqedonisë së Veriut, gjë që ka nxitur kritika dhe debate të ashpra në opinionin publik dhe skenën politike./TS/