Zvicra dhe Kosova do të përballen mes vete këtë të premte në nismë të kampanjës kualifikuese për Botërorin 2026.

Në stadiumin e Baselit pritet të ketë shumë shikues shqiptarë, pasi dihet se në shtetin helvetik jetojnë shumë shqiptarë të Kosovës.

E për këtë është i vetëdijshëm edhe futbollisti zviceran, Cedric Itten, i cili u paraqit sot në konferencë për shtyp para ndeshjes me Dardanët.
“Duelet me Kosovën janë gjithmonë të veçanta. Është e qartë se Kosova do të ketë shumë tifozë në stadium”, u shpreh futbollisti zviceran, i cili u rikthye në Kombëtare pas një kohe të gjatë.

28-vjeçari është bashkëlojtar i Florent Muslijës tek Fortuna Dusseldorf, ndërsa e përcolli një mesazh që ia ka dhënë futbollisti dardan.

“Ai mezi po e pret këtë ndeshje dhe më tha se Kosova dëshiron të fitojë”, shton përfaqësuesi zviceran.

Ai e vuri në dukje synimin e Zvicrës për t’u kualifikuar në Botërorin 2026, objektiv i qartë ky i ekipit të selektorit Murat Yakin.

Krahas Kosovës dhe Zvicrës, në këtë grup gjenden edhe Suedia e Sllovenia.

Ekipi që përfundon i pari shkon direkt në garën që do të mbahet vitin tjetër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë, kurse i dyti do të luajë në “play-off”.

Mgid