Prodhuesi më i madh kinez i baterive në botë “CATL” zbuloi gjeneratën e fundit të baterive për automjete elektrike (EV) për tregun europian, duke theksuar një prani dhe angazhim në rritje në rajon, shkruan “Xinhua”.
Lançimi erdhi dy ditë para hapjes së panairit “IAA Mobility 2025” në Mynih, takimi kryesor i industrisë së automobilave në Europë.
Bateria e re, e quajtur “Shenxing Pro”, bazohet në kiminë e fosfatit të hekurit të litiumit (LFP) dhe do të ofrohet në dy versione të përshtatura për tregun europian.
Një model me jetëgjatësi të lartë është projektuar për deri në 12 vjet, ose 1 milion km përdorim, dhe ofron një rreze maksimale drejtimi prej 758 km, shumë mbi nivelin prej 300 deri në 500 km që zakonisht ofrohet nga bateritë LFP.
Versioni tjetër është një model me karikim të shpejtë, i cili mund të shtojë 478 km rreze në vetëm 10 minuta karikim.
Lingbo Zhu, drejtor i teknologjisë i njësisë ndërkombëtare të biznesit në “CATL”, tha se produkti është zhvilluar për t’u përshtatur me zakonet europiane të drejtimit, duke përfshirë shpejtësi më të larta në autostrada, jetëgjatësi më të madhe për automjetet e marra me qira dhe të përdorura, si dhe performancë të besueshme në mot më të ftohtë.
“CATL” hyri në tregun europian në vitin 2012 përmes një partneriteti strategjik me prodhuesin gjerman të makinave “BMW”. Tani, kompania operon fabrika prodhimi të automjeteve elektrike në Gjermani dhe Hungari, me një fabrikë të tretë në ndërtim e sipër në Spanjë, përmes një sipërmarrjeje të përbashkët me “Stellantis”.
“Rrugëtimi ynë global fillon në Europë”,- tha Tan Libin, drejtor i klientit në “CATL”, duke vënë në dukje se kompania tani punon me rreth 90 për qind të prodhuesve europianë të makinave.
Sipas Tan, “CATL” ka furnizuar bateri për më shumë se 20 milionë automjete elektrike në të gjithë botën.