Nëse pas 12 tetorit udhëtoni në vende të zonës Shengen, mes tyre edhe te fqinjët Greqia dhe Bullgaria, nuk duhet të habiteni nëse në pikat kufitare ju kërkohet të jepni të dhëna biometrike – gjurmë gishti dhe fotografi të fytyrës. Kjo është në përputhje me sistemin e ri për hyrje-dalje në BE, zbatimi i të cilit fillon në tetor. Por, gjithçka do të shkojë gradualisht, kështu që muajin e parë obligimi është të identifikohen 10 për qind e udhëtarëve nga vendet e treta, ndërsa identifikim i plotë do të ketë deri më 10 prill 2026. Për momentin nuk nevojitet regjistrim online, lajmërim se ku udhëtoni dhe pagesë 20 euro. Kjo pritet të fillojë të zbatohet në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm.

“Kur qytetarë nga vendet e treta hyjnë në BE, ata duhet të regjistrohen njëherë, me të dhëna biometrike që do të thotë gjurmë gishti dhe fotografi, pas çka, pasi kjo të jetë bërë, në hyrjen e dytë në kufi kjo do të jetë shumë më e lehtë. Kur kaloni në aeroport mund të përdorni terminalet automatike që do të jetë mënyrë shumë më e shpejtë për të kaluar kufijtë e Bashkimit Evropian”, shtoi Mihalis Rokas, ambasador i BE-së në RMV.

Ky sistem do ta zëvendësojë vendosjen me dorë të vulave në pasaporta me evidencë elektronike dhe të dhëna biometrike. Do të zbatohet për udhëtarët nga vendet që nuk janë anëtare të BE-së, përfshirë edhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Do të zbatohet në 29 vendet e zonës Shengen. Fëmijët nën 12 vjeç do të përjashtohen nga obligimi për të dhëna biometrike. Në fillim ka gjasa për pritje më të gjata në pikat kufitare. Nga Delegacioni i BE-së në vend, në brifingun me gazetarët, theksuan se qëllimi është të forcohet siguria e kufijve të jashtëm të BE-së dhe të lehtësohet hyrja për udhëtarët.

“Regjistrohet çdo hyrje, dalje dhe eventualisht ndalim i hyrjes. Ka dy qëllime kryesore. E para është forcimi i sigurisë së kufirit – duam të dimë kush hyn dhe kush është në zonën Shengen, si dhe të identifikohen njerëzit që hyjnë për të ulur mashtrimet me identitet, por edhe të zvogëlohen abuzimet me tejkalimin e lejes 90-ditore për qëndrim. E dyta është efikasiteti dhe shpejtësia. Pasi të zbatohet plotësisht pritet të jetë më e shpejtë dhe më e lehtë hyrja në BE”, thonë nga Delegacioni i BE në RMV.

Euroambasadori Rokas kërkoi që Sistemi për hyrje/dalje (EES) të mos ngatërrohet me Sistemin Evropian për informacion dhe autorizim udhëtimi (ETIAS), për zbatimin e të cilin do të ketë informacione më vonë. Pasi të fillojë zbatimi i tij, dhe paralajmërimet janë në fund të vitit 2026, secili që udhëton në zonën Shengen do të duhet fillimisht të regjistrohet online dhe të lajmërojë udhëtimin e tij. Regjistrimi, siç është paralajmëruar, do të kushtojë 20 euro dhe do të vlejë tre vjet. Përjashtim do të jenë personat më të rinj se 18 vjeç dhe më të vjetër se 70 vjeç.

Mgid