Deputeti i LDK-së, Avduallah Hoti ka reaguar pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit e cila dështoi për shkak të mungesës së kuorumit.
Ai ka thënë se pas qeverisë edhe Kuvendit ka nisur me funksionim jokushtetuese.
Hoti ka kritikuar edhe presidenten Vjosa Osmani.
Shkrimi i tij:
Pas Qeverisë, edhe Kuvendi i Kosovës nis sot funksionimin jokushtetues.
Me mbajtjen e mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit, në mungesë të një nënkryetari, edhe Kuvendi i Kosovës nis funksionimin jokushtetues. Dy aktgjykimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese dhe vetë Kushtetuta specifikojnë se Kuvendi i Kosovës konstituohet kur zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët, duke mos lënë hapësirë interpretimi nëse ndonjëri nga nënkryetarët e Kuvendit nuk zgjidhet.
Ndërkaq, Qeveria e Kosovës në detyrë është duke funksionuar në mënyrë jokushtetuese që nga certifikimi i zgjedhjeve nga ana e KQZ-së, pasi anëtarët e Qeverisë që janë certifikuar si deputetë nuk mund të ushtrojnë poste ministrore. Ky nuk është opinion, por fakt sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme të datës 26 qershor 2025, i cili mbi këtë arsyetim e shpalli të paligjshëm një udhëzim administrativ të Ministrit të Financave.
Manovrat politike jokushtetuese të një partie anarkike do të na kushtojnë.
Do të na kushtojë edhe fakti se kemi një presidente që nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë në krye të detyrës. Kushtetuta e obligon atë të sigurojë funksionimin kushtetues të institucioneve të vendit. Jo vetëm që nuk e kryen këtë obligim, por ajo i lë edhe institucionet e tjera pa bartës, siç është rasti me mosemërimin e Kryeprokurorit të Shtetit. Që nga data 26 qershor 2025, kur doli vendimi i Gjykatës Supreme, asnjë fjalë nuk e ka thënë. As tani, kur Kuvendi i Kosovës po nis funksionimin jokushtetues, nuk e dëgjojmë të thotë një fjalë.