Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta, në një intervistë ekskluzive për SYRI.net, ka treguar se pafajësia e tij është e vulosur.
Gjatë bisedës me gazetarin Artan Cena, Meta është shprehur se, SPAK nuk ka asnjë provë kundër tij, ndërsa theksoi se, mezi po e pret gjyqin ku do të bëjë edhe mbrojtjen e tij publike.
Pjesa e parë e intervistës së presidentit t PL, Ilir Meta:
Z. Meta këto ditë SPAK ka dërguar çështjen tuaj për gjykim. Si e vlerësoni këtë hap dhe çfarë ka ndryshuar nga momenti i arrestimit tuaj gjatë 10 muajve në paraburgim?
Ky ishte një hap procedurial i pritshëm. Për mua dhe ekipin tim të mbrojtjes përballja në gjykatë është e shumëpritur pasi gjykimi do jetë i hapur dhe gjykimin më të mirë do e bëjë opinioni publik, që do njihet me zhvillimet e çdo seance, si nga unë dhe avokatët, por edhe nga Partia e Lirisë.
Çfarë elemente të reja ka kjo dosje e përfunduar hetimesh në raport me dosjen hetimore të paraqitur nga SPAK për të kërkuar arrestimin tuaj të 21 tetorit?
Asgjë të re ndryshe nga fletërrufeja e 21 Tetorit për personin tim, përveçse rrëzimit nga vet SPAK-u pas përgjigjes nga autoritetet gjyqësore amerikane se LSI kishte bërë vetëm një pagesë të ligjshme për “McKeon Group” prej 15 mijë USD, ashtu siç unë kam deklaruar prej vitesh.
Pra gjithçka tjetër për gjoja 1 milion USD ishte shpifje dhe trillium i paguar shtrenjtë nga Soros dhe Edi Rama në “Mother Jones” e gazetën bulevardeske austriake, etj. Po kështu, ishte një nga dyshimet kryesore pse SPAK motivonte rrëmbimin tim.
Në 230 faqe të dosjes për gjykim as 30 faqe nuk janë për mua dhe ato janë kryesisht dëshmi të parëndësishme të personave, të cilët thjesht konfirmojnë se unë njihesha me Kastriot Ismailin, gjë që unë e kam konfirmuar edhe në dëshminë time se e kam njohur që në fillim të viteve ’90.
Apo me dëshmi që unë e kam njohur Adrian Shatkun, kur edhe këtë e kam deklaruar që me marrjen në pyetje.
Por asgjëkundi nuk ekziston asnjë fakt apo provë penale kundër meje. Po kështu, nuk ekziston asnjë provë se unë jam në dijeni të një veprimi të paligjshëm apo të parregullt të bërë nga dikush.
SPAK pretendon se pozita juaj është rënduar…
Ç’mund të presim nga prokurorë të regjimit komunist që dënonin të rinj edhe në vitin e fundit të diktaturës për dëmtim të moralit komunist apo pse shanin Stalinin. Si mund t’i durojnë këta akuzat e mia ndaj Edit, padronit të tyre?
Ç’mund të presim nga prokurorë të lindur të nënshtruar ndaj pushtetit?
Ju lutem lexoni me vëmendje raportin e Avokatit të Popullit për arrestimin tim.
Sidomos pjesën që ka të bëjë me veprimet haptazi të paligjshme, me vetëdije, të bëra nga tre prokurorët e çështjes të cilat u bënë sipas urdhrave të Edi Ramës për t’i krijuar mundësinë Narkopolicisë për të bërë atë shfaqje kriminale që kurrë nduk do të harrohet dhe amnistohet.
Pse rastësisht të tre prokurorët firmosin që arrestimi të bëhet mbi bazë të një ligji që nuk ekziston dhe është shfuqizuar që në vitin 2020, pra 4 vite më parë?
Pse rastësisht SPAK-u shmangu BKH, pra vetveten, nga zbatimi i urdhrit të ndalimit duke ia ngarkuar vetëm Narkopolicisë, ndërkohë që gjykata kishte caktuar për zbatimin e urdhrit të ndalimit, SPAK-un, BKH-në dhe Policinë e Shtetit?
Pse rastësisht prokurori i epokës komuniste, Arben Kraja, gënjeu para gjykatës më 23 tetor 2024 duke deklaruar se arrestimi ishte bërë i rregullt (pra sipas normave të hetuesisë komuniste)?
Apo rastësisht, SPAK-u e shmangu hetimin për arrestimin e paligjshëm pas kallëzimit tonë duke ia deleguar Prokurorisë së Tiranës?
Mjafton kjo paligjshmëri stoike e SPAK-ut ndaj arrestimit tim për të kuptuar jo vetëm paligjshmërinë e arrestim-rrëmbimit, por edhe paligjshmërinë e gjithë hetimeve në tërësi për të cilat kemi shumë fakte, por do ruajmë konfidencialitetin deri në seancën e gjykimit paraprak.
Sa optimist jeni për pafajësinë tuaj në këtë proces?
Pafajësia ime është vulosur që në 21 tetor 2024 nga vet akti i rrëmbimit kriminal nga Narkoregjimi.
Nëse do kishin edhe faktin më të parëndësishëm penal ndaj meje kurrë nuk do vepronin në atë mënyrë banditeske.
Gjatë 10 muajve të një paraburgimi kriminal, dështuan me provokimet e tyre të “krijojnë” ndonjë provë të re penale, siç bënë me Erion Veliajn, kolegun e tyre.
Ne jemi të bindur në kapjen totale të sistemit gjyqësor këtu nga Narkoregjimi dhe banda e Sorosit.
Por jemi të bindur se Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut do i ndëshkojë këto sjellje haptazi kriminale, që nuk kanë asnjë lidhje me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Ndërkohë a vazhdojnë dënimet ndaj jush?
Më duket sikur iu jap kënaqësi po të flas për të gjitha sjelljet monstruoze ndaj meje në paraburgim, ku makthi i tyre është komunikimi im me drejtuesit e Partisë së Lirisë apo me mediat.
Sepse qëllimi i vërtetë i gjithë këtij hetimi, rrëmbimi e paraburgimi është pamundësimi im për të ushtruar të drejtat politike, jo vetëm në dëmin tim, por edhe të Partisë së Lirisë, si forca e dytë opozitare në vend dhe vet opozitarizmit në tërësi.
Mjafton t’ju them vetëm një fakt se janë bërë gati 3 muaj qëkur avokati im Z. Cakrani u kërkoi zyrtarisht përmbajtjen e vendimit të Komisionit Disiplinor për dënimin tim dhe ende edhe sot nuk ka përgjigje.
Në Rusi edhe Navalni dhe Khodorkovski janë lejuar edhe në burg të intervistohen nga gazetarë të huaj dhe të filmohen.
Por sjelljet e tyre, personalisht tani më argëtojnë edhe pse ato tregojnë se jemi në kushtet e një diktature të mirëfilltë.