Imrane Veliu Aliu kandidate për këshilltare në Çair: Do të jem zëri i qytetarëve në organet vendimmarrëse

Imrane Veliu Aliu është një ndër kandidatet për këshilltare në komunën e Çairit, nga radhët e AKI-së.
Ja biografia e plotë e saj:
Unë jam Imrane Veliu Aliu, e lindur në 19 qershor të vitit 1987, në zemrën e Çarshisë së Vjetër të Çairit. Rrënjët e mia janë të lidhura ngushtë me këtë vend, me njerëzit dhe me historinë tonë.
Arsimin fillor e përfundova në shkollën fillore “Jane Sandanski” (“Jashar Bej Shkupi” sot), ndërsa shkollën e mesme në gjimnazin “Zef Lush Marku”. Studimet deridiplomike i vazhdova në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, në Akademinë Pedagogjike, ku u diplomova si profesoreshë e arsimit. Aktualisht jam në përfundim të studimeve postdiplomike në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin Shën Kirili dhe Metodi- Shkup, drejtimi Shëndet Publik.
Karrierën profesionale e nisa herët, duke punuar deri në vitin 2009 në media lokale dhe në Radio Shkupi. Në vitin 2009 u punësova në Ministrinë e Shëndetësisë, ku për 10 vite shërbeva në kabinet, duke fituar përvojë të çmuar në politikëbërjen shëndetësore.
Në dhjetor 2019 u transferova në Institutin e Shërbimeve Publike pranë Qendrës Universitare “Nënë Tereza”-Shkup, ndërsa në shkurt 2020 u emërova Udhëheqëse e Sektorit për Sterilizim në Kirurgji, funksion të cilin e ushtrova deri në fund të vitit 2024. Sot jam e angazhuar si referente administrative në të njëjtën qendër.
Aktivitetin politik e kam filluar qysh në vitin 2006, në radhët e BDI-së, duke qenë pjesë aktive e proceseve politike dhe organizative në Çair. Në zgjedhjet e kaluara isha kandidate për deputete në Zonën zgjedhore 1, duke përfaqësuar Çairin. Jam pjesë e ekipit fitues të kryetarit të komunës, z. Bujar Osmani, ku shërbej në detyrë si koordinatore e të punësuarve të Çairit në Spitalin “Nënë Tereza”-Shkup.
Jam nënë e dy fëmijëve dhe sot, si kandidate për këshilltare në Komunën e Çairit, vij para qytetarëve të mi me përvojë akademike, profesionale dhe politike, por mbi të gjitha me përkushtimin për të qenë zëri i sinqertë i tyre në institucionet vendimmarrëse.