Asnjëherë as kryeministri aktual Hristijan Mickoski në kohën kur ishte në opozitë, as atëherë ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, e as ish-prokurorja për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, Vilma Ruskovska, nuk kanë qenë drejtpërdrejt shënjestër e operacioneve të ANB-së dhe për ta nuk janë hapur lëndë, pohon ish-drejtori i shërbimit sekret, Viktor Dimovski.

Më herët, ndërkohë, udhëheqësia aktuale e Agjencisë akuzoi për abuzime dhe ndjekje të politikanëve, gazetarëve dhe personaliteteve publike.

Dimovski, në një intervistë për 360 gradë, thotë se është e mundur që ata të jenë përfshirë në lëndë nëse janë takuar me persona që kanë qenë nën vëzhgim për shkak të kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare.
“Çështje tjetër është nëse në kuadër të atyre veprimeve operative të ndërmarra, ndonjë nga politikanët ekzistues, qoftë nga pushteti apo nga opozita, ka pasur kontakte me persona të tillë. Nëse kanë ndodhur kontakte të tilla, obligim i operativëve ka qenë që ato kontakte t’i shënojnë. Por do ta përsëris, kjo nuk do të thotë se bëhet fjalë për një punë operative të organizuar, e cila nënkupton ndjekje të plotë, që do të përfshinte edhe zbatimin e masave operative-teknike, siç ishte rasti me akuzat e dhëna”, deklaroi Dimovski, ish-drejtor i ANB-së.

Dimovski nuk u përgjigj drejtpërdrejt nëse ka lëndë konkrete me emrat e politikanëve, vetëm theksoi se nuk mban mend dhe mendon se nuk ka pasur procedurë të ANB-së për rastin “Delçevski Nivi”.

Ai kërkon deklasifikimin e dokumenteve të diskutueshme për të përcaktuar saktësisht se çfarë ka ndodhur dhe në ç’mënyrë personalitetet publike kanë përfunduar në aktivitete operative të agjencisë. Dimovski gjithashtu theksoi se, ndryshe nga deklaratat aktuale se ANB ka zhvilluar hetime dhe ka zbuluar abuzime, Agjencia nuk ka kompetencë të zhvillojë hetime, por vetëm të njoftojë prokurorinë për zbulimet e saj.

Mgid